Një konflik mes disa personave ka ndodhur të martën në zyrën e Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.
Policia bëri me dije përmes një njoftimi se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur.
Gazetarja Sara Demushi tha se nga hetimet e deritanishme mësohet se nuk kemi të bëjmë me një konflikt partiak, por kjo mbetet për t’u verifikuar nga policia.
Lidhur me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim dy persona babë e bir. Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Arjan Telhallari dhe djalin e tij.
I biri mësohet se ka pasur një konflikt me persona që qëndrojnë pranë kësaj zyre elektorale dhe ka njoftuar të atin lidhur me këtë konflikt.
Të dy babë e bir kanë shkuar për t’u sqaruar dhe konflikti ka degraduar në përdorimin e sendeve të forta.