Skip to content

“Tirana e Vogël” në Londër: Brenda fortesës së padukshme të mafies shqiptare ku ligjin e bën gjobvënia dhe “Omertà”?

Nga gjobvënia ndaj bizneseve lokale te kontrolli i tregut miliardësh të kokainës, një rrjet i sofistikuar kriminal ka shtrirë tentakulat në veri të Londrës. Ndërsa banorët jetojnë nën hijen e “Omertà-s” dhe dhunës ekstreme, zona e qetë e Southgate po shndërrohet në një bastion ku ligji i rrugës sfidon autoritetet britanike…

Në një periferi të qetë dhe të gjelbër në veri të Londrës, nën sipërfaqe vlon një aktivitet i dendur kriminal i drejtuar nga grupe shqiptare. Eksponentë të krimit të organizuar kontrollojnë rrjete të gjobvënies, trafikimit të qenieve njerëzore dhe shpërndarjes së drogës, kryesisht në zonën rreth stacionit të metrosë Southgate.

Kjo lagje e zhurmshme dhe relativisht e pasur, është shndërruar në një “fortesë” të rrjeteve kriminale, sipas burimeve për Metro. Kriminelët po e përdorin kërcënimin e dhunës ekstreme për të nënshtruar komunitetin lokal.

Një numër gjithnjë e më i madh restorantesh dhe biznesesh po përballen me kërkesa për “para mbrojtjeje”, dhe në disa raste po detyrohen t’ua dorëzojnë lokalet e tyre bandave shqiptare.

Kontrolli i gangsterëve mbi komunitetin është aq i fortë, saqë vendasit e quajnë zonën rreth stacionit “Tirana e Vogël”. Burimet konfirmojnë se banorët janë tepër të frikësuar për të folur hapur, për shkak të spektrit të gjerë të dhunës.

Vrasja e një bosi shqiptar të drogës nga një rival në Battersea, në jugperëndim të Londrës gjatë pragmbrëmjes së Krishtlindjeve të vitit 2019, mbetet një shembull i qartë se si tentakulat e krimit të organizuar shqiptar depërtojnë në çdo cep të qytetit.

Si po ndikon kjo në komunitetin lokal?

Një burim i tha Metro-s se pak njerëz guxojnë të flasin nga frika e hakmarrjes. “Bandat shqiptare e kanë vënë nën kontroll komunitetin dhe frika e eliminimit fizik është e madhe. Ata kanë marrë në dorë disa biznese dhe po kërcënojnë të tjerat”- u shpreh ai. Aktiviteti i tyre shtrihet në trafikimin e njerëzve, gjobvënien dhe tregtinë e drogës. Është qartësisht territori i tyre dhe ata po veprojnë hapur.

“Ne e dimë kush janë dhe ku veprojnë. Policia është njoftuar se duhet ta marrë situatën nën kontroll. Ky është një rrjet kriminal ndërkombëtar që po ‘kolonizon’ zonën rreth stacionit Southgate dhe po përhapet në të gjithë rrugën kryesore”- thonë banorët

Burimi shtoi se pronarët e dyqaneve po ngacmohen dhe kërcënohen nga gangsterët që synojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre financiar dhe të krijojnë kanale për pastrimin e parave. “Askush nuk guxon të flasë, por kjo po e tjetërson zonën. Për shembull, bizneset qipriote që operojnë prej brezash po detyrohen të largohen. Njerëzit ndihen të pafuqishëm”- shtojnë ata.

Fokusi kryesor i policisë ka qenë rreth “Ashfield Parade”, që konsiderohet si bastioni i tyre lokal. Trafikanti shqiptar, Arlin Leka, i cili jetonte në këtë rrugë, u burgos në vitin 2023 pasi u shpall fajtor për trafikimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.

Një tregtar vendas u shpreh se ishte “i tmerruar” nga ideja e përplasjes me këto grupe. Ai tha: “Kam mbi 20 vjet këtu dhe kurrë nuk kemi pasur probleme deri para 2 vitesh. Kur erdhën kriminelët shqiptarë, e gjithë atmosfera ndryshoi. Ata duan të marrin çdo biznes. Në Southgate dhe Cockfosters, po na e bëjnë jetën të pamundur. Ndonjëherë paguajnë njerëz për të shkaktuar vandalizëm ose sherre para dyqaneve, që pronarët të detyrohen të mbyllen. Pastaj hyjnë në lojë shqiptarët. Kjo ka goditur veçanërisht bizneset greko-qipriote”.

Krahasimi me grupet e tjera

Ndërsa në zonat si Tottenham dhe Wood Green dominon “mafia” turke, në Southgate dhe Cockfosters sundojnë shqiptarët. Të dyja palët rrallëherë përplasen, pasi grupet e tjera shpesh i tremben dhunës së pakursyer të bandave shqiptare.

Gjatë një procesi gjyqësor vitin e kaluar, u mësua se kur disa grabitës sulmuan një “shtëpi bari” të drejtuar nga shqiptarët. Hanxharët dhe thikat e tyre ishin të pafuqishme përballë pistoletave që shqiptarët përdorën për të mbrojtur territorin. Gjykata e Kurorës në Croydon dëgjoi dëshminë se hajdutët kishin “shkuar me thika në një përleshje me armë zjarri”. Të ardhurat nga droga nxisin operacionet e tyre. Fuqia në rrugë është çelësi për të kontrolluar një pjesë të madhe të tregut të kokainës, i cili vlerësohet në 5 miliardë paund.

Sipas policisë, ata blejnë drogën me çmime deri në 5.000 paund për kilogram dhe fillimisht e shitën nën vlerën e tregut për të nxjerrë jashtë loje rivalët. Ky furnizim në shkallë industriale u ka siguruar atyre fonde të mjaftueshme për të “blerë” pothuajse të gjithë komunitetin.

Rregulli i “Omertà-s” (heshtjes), i njohur te mafia italiane, zbatohet me rreptësi edhe te shqiptarët. Ata njihen për torturimin e kundërshtarëve dhe mbajnë grupe “ushtarësh” që mblidhen nëpër kafenete gjatë ditës, në pritje të udhëzimeve për “t’u kujdesur për punët”.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) i ka vënë krerët e këtyre grupeve në krye të axhendës së saj. Por për banorët e Southgate, emërtimi “Tirana e Vogël” mbetet një simbol i frikës së përditshme.

Një burim në radhët e agjensive të sigurisë theksoi: “Sigurisht që ka shumë biznese shqiptare të ndershme që respektojnë ligjin. Problemi nuk është kombësia, por ky element i rrezikshëm kriminal që ka hedhur rrënjë në komunitetin tonë”./Përgatiti: Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.