Lidhur me konfliktin e ndodhur sot në Tiranë në rrugën Ali Demi, pranë zyrës elektorale të subjektit PSD, ka ardhur një reagim sqarues nga vetë kjo parti politike.
Ata shprehen se konflikti ka ndodhur pranë ambjenteve të zyrës elektorale, por nuk ka lidhje me partinë dhe asnjë prej simpatizantëve apo anëtarëve të partisë nuk është përfshirë në konflikt.
Reagimi i PSD:
Partia Socialdemokrate sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi”, nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate.
Vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambjenteve tona, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë. Dënojmë çdo akt dhune dhe presim që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Siç duket nga pamjet e siguruara dera prej xhami e zyrës elektorale është dëmtuar dhe sipas policisë, dyshohet se është thyer me sende të forta.
Kreu i Partisë SocialDemokrate, Tom Doshi ka reaguar për herë të parë nga Korça për përplasjen në distancë me Partinë Socialiste, forca politike që drejton vendin prej tre mandatesh dhe ku vetë Tom Doshi ka aderuar dikur.
Mirëpo, pavarësisht debateve dhe përplasjeve në distancë, Tom Doshi ka shuar çdo dyshim për bashkëpunim me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Nga qyteti juglindor, ai është shprehur se PSD nuk do të sjellë kurrë Berishën në pushtet.
Edhe përse ka kritikuar qasjen e socialistëve në këtë fushatë për parlamentaret e 11 Majit, kryetari i Partisë SocialDemokrate është shprehur se ata sërish do të bashkëpunojnë me PS.
“Ne jemi partia që i kemi bashkuar të gjithë votuesit, të majtë e të djathtë. Po luftojmë për mandatet tona, por jo për të sjellë Berishën në pushtet. Sërish nesër do të bashkëpunojmë me PS por nuk më vjen mirë nga mënyra se si po sillen me ju në Korçë dhe të gjithë Shqipërinë.
Po bëjnë presion për vende pune, fermerëve, bizneseve. Kjo nuk është e drejtë dhe për këtë ju përgjigjeni me votë. Edhe ato që nuk janë prezent dhe punojnë në administratë që po i dhunojnë nga ana psikologjike, sot në 2025 kërkojmë të jemi pjesë e Europës, por Europë nuk që të dhunosh tjetrit për të votuar.
Ne e kemi lënë pas komunizmin. Ndaj ju bëj thirrje edhe atyre që nuk janë sot këtu: Votoni PSD, jemi partia e tretë politike. Nuk kemi ardhur këtu të prishim mandatet e PS, por të marrim mandatin e PSD-së”, është shprehur politikani Tom Doshi.