Një operacion policor i zhvilluar në orët e para të mëngjesit në fshatin Kërçisht, Maqellarë, përfundoi me plagosjen e një efektivi të forcave të “Shqiponjave”, si dhe me arrestimin e një personi me rrezikshmëri të lartë.
Gentjan Meda, mbeti i lënduar gjatë ndërhyrjes për arrestimin e 35-vjeçarit Klodian Llomi (i njohur edhe si Mazari), një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Apelit në Romë me 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Një banore e zonës, ndër të parat që ka parë efektivin e plagosur, ka rrëfyer momentet e para pas ngjarjes.
“Tha ‘vdiqa bre’… më erdhi gjynah. E shikon ku janë tullat? Aty ishte shtrirë. Ishte i gjakosur. Mund të kenë rënë më herët, por ne s’kemi dëgjuar gjë. Duhet të ketë qenë rreth orës 6 të mëngjesit.”, shprehet ajo.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë murin rrethues të banesës dhe zonën ku efektivi ka rënë, ndërsa operacioni vijoi me arrestimin e 35-vjeçarit, i cili tashmë pritet të përballet me procedurat për vuajtjen e dënimit të mbetur.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Dibrës, forcat e ndërhyrjes hynë në banesën trekatëshe të të kërkuarit për të bërë të mundur arrestimin e tij. Gjatë operacionit, efektivi Meda u rrëzua aksidentalisht nga muri rrethues i banesës, duke pësuar dëmtime në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Fillimisht mori ndihmën e parë në Qendrën Shëndetësore të Maqellarës, më pas u transportua drejt spitalit të Peshkopisë dhe më tej me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, burime zyrtare bëjnë me dije se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.
Raportimet e para nga zona ngritën dyshime se efektivi mund të ishte shtyrë gjatë përplasjes me të shumëkërkuarin, madje u fol edhe për përdorim të armëve të zjarrit, pasi banorët raportuan se kishin dëgjuar krisma. Megjithatë, kjo pistë u hodh poshtë nga Policia, e cila sqaroi se bëhej fjalë për një rrëzim aksidental gjatë operacionit.“Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore”, tha policia më herët.

Comments are closed.