Autoritetet gjyqësore vlerësojnë se ekziston rrezik arratisjeje, ndikimi mbi dëshmitarët dhe përsëritje e veprës penale
Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Besart Kelmendit, i njohur publikisht si Gjesti, pas një seance dëgjimore të zhvilluar me dyer të mbyllura. Vendimi lidhet me një incident të ndodhur në ambientet e kompanisë “Onima”.
Trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi paraburgimin si masë sigurie për të siguruar zhvillimin e hetimeve. Autoritetet gjyqësore vlerësuan se rrethanat e rastit kërkojnë izolimin e të dyshuarit gjatë kësaj faze procedurale.
Sipas dosjes së hetimit, ndaj Kelmendit rëndojnë tre vepra penale. Ato përfshijnë kanosjen, dëmtimin ose asgjësimin e pasurisë dhe posedimin e paautorizuar të armëve.
Gjykata arsyetoi se ekzistojnë disa rreziqe konkrete nëse i dyshuari hetohet në liri. Vendimi përmend mundësinë e arratisjes, ndikimin e mundshëm ndaj personave që kanë qenë të pranishëm gjatë incidentit dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Mbrojtja e Kelmendit mund ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit dhe të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë gjatë ditëve në vijim.

Comments are closed.