Skip to content

Turqia, “vktima” e radhës e Izraelit

Rivaliteti mes Izraelit dhe Turqisë mund të shndërrohet në një nga përplasjet kryesore gjeopolitike në fazën e ardhshme të zhvillimeve në Lindjen e Mesme…

Media izraelite “The Jerusalem Post” ka publikuar një analizë ku Turqia paraqitet si sfida e re strategjike për Izraelin në Lindjen e Mesme, duke sugjeruar se rivaliteti mes dy vendeve mund të përshkallëzohet në të ardhmen.

Sipas analizës, dobësimi i Republikës Islamike të Iranit dhe goditja e rrjeteve të saj në rajon nuk përbën fundin e konfliktit gjeopolitik në Lindjen e Mesme, por hap një fazë të re rivalitetesh. Në këtë kuadër, media izraelite argumenton se Turqia po shfaqet si aktori që mund të mbushë boshllëkun e lënë nga ndikimi iranian.

“The Jerusalem Post” e paraqet qeverinë e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan si një fuqi në rritje që synon të zgjerojë ndikimin e saj në rajon dhe të marrë rolin e përfaqësuesit kryesor të islamit politik pas dobësimit të Iranit.

“Çarja më domethënëse dhe e rrezikshme në këtë rend të ri është ambicia në rritje e Turqisë islamiste. Për muaj të tërë, qeveria e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan ka miratuar një strategji që i jep përparësi mbijetesës së regjimit klerikal në Teheran si kundërpeshë ndaj ndikimit perëndimor”, thuhet në analizën e “JP”

Në analizë theksohet se retorika në Turqi ka filluar ta paraqesë Izraelin si pengesë për stabilitetin rajonal. Sipas medias izraelite, disa komentatorë pranë qeverisë turke pretendojnë se pas Iranit, Izraeli mund të përballet edhe me Turqinë.

“Tani që regjimi iranian është në grahmat e vdekjes, Ankaraja po ndryshon mesazhet e saj për t’u përgatitur për një përballje të drejtpërdrejtë me realitetin e ri rajonal. Kolumnistët turq pro-qeveritarë kanë filluar ta paraqesin Izraelin si pengesën e fundit për stabilitetin rajonal, me disa që pretendojnë shprehimisht se pas Iranit, do të jetë radha e Turqisë”, thuhet më tej analizën e ‘JP’

Në këtë kontekst, artikulli argumenton se Ankaraja po përpiqet të konsolidojë ndikimin e saj në rajon, veçanërisht në Siri. Sipas “The Jerusalem Post”, Turqia po e trajton Sirinë si një hapësirë strategjike për të zgjeruar praninë e saj ushtarake dhe të inteligjencës, duke krijuar një zonë ndikimi që i afrohet gjithnjë e më shumë kufijve të Izraelit.

Media izraelite thekson gjithashtu se Turqia paraqet një sfidë më komplekse për Izraelin dhe aleatët e tij sesa Irani, pasi Ankaraja është një shtet i integruar në sistemin perëndimor përmes NATO-s dhe vepron përmes strukturave shtetërore, jo përmes rrjeteve të ndërmjetësve rajonalë.

“Sfida për Izraelin dhe SHBA-në është se Turqia është një aktor i përqendruar te shteti, i integruar brenda sistemit perëndimor nëpërmjet NATO-s, duke i bërë ambiciet e saj islamiste shumë më të vështira për t’u kundërshtuar sesa modeli i Teheranit i drejtuar nga ndërmjetës”, thuhet në analizën e ‘JP’.

Në analizë argumentohet se për të siguruar një rend të ri sigurie në Lindjen e Mesme pas dobësimit të Iranit, aleatët e Izraelit duhet të përballen edhe me ambiciet rajonale të Turqisë.

Duke e paraqitur Ankaranë si një sfidë të re strategjike për rajonin, analiza në “The Jerusalem Post” sugjeron se rivaliteti mes Izraelit dhe Turqisë mund të shndërrohet në një nga përplasjet kryesore gjeopolitike në fazën e ardhshme të zhvillimeve në Lindjen e Mesme./Pamfleti

izraeli turqia luftë

Published inBank

Comments are closed.