Skip to content

Gazetari e thotë troç: SPAK ka bërë gati prangat e reja, kujt do iu mbyllen dyert

Gazetari Basir Çollaku ka bërë deklarata të forta për situatën politike dhe hetimet e drejtësisë, duke paralajmëruar se SPAK pritet të kërkojë heqjen e imunitetit edhe për deputetë të tjerë. I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Çollaku tha se disa ministra të qeverisë ndodhen nën presion për shkak të lidhjeve të tyre me grupe kriminale dhe për shkak të përfshirjes në dosje hetimore.

Sipas tij, reagimet e fundit të disa ambasadave perëndimore lidhur me zhvillimet politike dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë tregojnë shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë për mënyrën si po funksionojnë institucionet në vend.

Ai theksoi se në vendet perëndimore është e pazakontë që ambasadorët të shkojnë në prokurori, ndërsa në Shqipëri kjo ndodh për shkak të situatës së brishtë të institucioneve.

“Ministri i Jashtëm gjerman ka qenë në Strukturën e Posaçme, ambasadori gjerman ka qenë në SPAK. Nuk shkon asnjë ambasador në Gjermani apo në Francë nëpër prokurori. I kanë ndarë gjërat ata dhe punojnë me institucionet, por këtu shkojnë për të garantuar votën dhe për ta hequr atë nga banditët dhe nga pushteti që janë bashkë”, u shpreh gazetari.

Çollaku paralajmëroi se hetimet e SPAK pritet të prodhojnë zhvillime të tjera politike. Sipas tij, do të ketë kërkesa të reja për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe për hetime ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë.

“Do ketë kërkesa të tjera për mandate dhe për imunitete të tjera, sepse në këtë mënyrë bëhet shkëputja. Drejtësia, me gjithë zigzaket e saj, duhet mbështetur që të çmontojë këtë sistem”, tha ai.

I pyetur se për cilët zyrtarë bëhet fjalë, Çollaku tha se emrat do të bëhen publikë gradualisht, duke shtuar se disa ministra dhe deputetë ndodhen në dosje hetimore dhe sipas tij janë të kërcënuar për shkak të lidhjeve me grupe kriminale.

“Do e them edhe me emër gradualisht sepse disa gjëra nuk duhen konspiruar tani, por po them që deputetë dhe ministra janë të kërcënuar sepse janë nëpër grupe kriminale dhe janë nëpër dosje. Nuk janë të lirë”, deklaroi gazetari.

Në fund, Çollaku shtoi se presioni ndaj politikës vjen edhe nga figura që ai i cilësoi si “investitorë strategjikë” të lidhur me trafik ndërkombëtar droge dhe me dosje të trafikut të kokainës, duke lënë të kuptohet se hetimet e drejtësisë mund të prodhojnë zhvillime të rëndësishme në politikën shqiptare.

Published inBank

Comments are closed.