Policia e Lezhës dhe ajo Policia e Kurbinit njoftojnë se kanë hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, Laç, i cili do të zhvillohet çdo të martë, nga sonte për 13 javët në vijim.
Objektivat kryesore të këtij plani janë parandalimi i ngjarjeve kriminale, menaxhimi i fluksit të lëvizjes, parandalimi i aksidenteve rrugore, si dhe administrimi i trafikut në itinerarin drejt kishës.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë – Laç” deri në Kishën e Shna Ndout, me qëllim orientimin e lëvizjes dhe shmangien e bllokimeve. Gjithashtu, janë mbuluar me shërbime policore kryqëzimet kryesore në Patok, pranë Gjykatës në Laç, si dhe në afërsi të varrezave të qytetit.
Shërbimet e Policisë janë dislokuar dhe në hyrje/daljet e vendparkimit në perimetrin e kishës, si dhe në segmentin malor të rrugës, ku rreziku për krijimin e bllokimeve është më i lartë.
Ndërkohë, patrullat e Rendit Publik, Policia Rrugore dhe strukturat e Policisë Kriminale janë angazhuar në terren për garantimin e sigurisë së besimtarëve dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët, të respektojnë udhëzimet e Policisë, me qëllim shmangien e vonesave dhe zhvillimin e një pelegrinazhi të qetë dhe të sigurt.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë dhe siguri për të gjithë qytetarët pjesëmarrës. Policia e Shtetit uron të gjithë besimtarët për një pelegrinazh të mbarë, dhe apelon që për çdo nevojë apo rast paligjshmërie, të kontaktoni në çdo kohë me Policinë.

Comments are closed.