Një incident si pasojë e kushteve atmosferike është regjistruar këtë të mërkurë, ku 200 pasagjerë shqiptarë janë detyruar që të përballen me momente tensioni dhe frike.
Fluturimi i linjës Wizz Air, i nisur nga Tirana drejt Gjenovës, u përball me kushte të vështira atmosferike që penguan uljen në aeroportin përkatës.
Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të pilotëve, të cilët tentuan dy herë që të ateronin, ata nuk kanë mundur kjo si pasojë e motit të keq. Në këto rrethana, ata u detyruan që të devijonin avionin drejt Torinos, ku u ul në orën 13:00.
Por, sikur të mos mjaftonte me kaq, terrori për qytetarët shqiptarë nuk ka përfunduar. Burime për Euronews Albania kanë bërë të ditur se udhëtarët janë përballur me mungesë informacioni dhe neglizhence në aeroportin e Torinos.
Ndonëse atyre u është premtuar se do të transportoheshin me autobus drejt Gjenovës, deri më tani nuk kanë pasur asnjë përgjigje konkrete. Në pamjet e mëposhtme shihet teksa pasagjerët qëndrojnë në grupe, duke kërkuar sqarime dhe zgjidhje për të vijuar udhëtimin për në destinacionin e tyre përfundimtar.

Comments are closed.