Një qëndrim kritik ndaj investimeve të qeverisë vitet e fundit në studio duket se i ka kushtuar vendin e punës gazetarit Ilir Babaramo.
Botuesi Carlo Bolino e ka shkarkuar atë përmes një telefonate në orët e vona të mbrëmjes, në një vendim që vjen menjëherë pas qëndrimeve të forta të gazetarit ndaj qeverisë.
Gjatë emisionit të drejtuar nga Denis Minga, po në Report TV, Babaramo kishte sfiduar hapur narrativën për investimet publike, duke deklaruar se në këto 10 vite qeveria nuk ka bërë as edhe një investim të saktë.
“Asnjë investim nuk ka gjatë këtyre 10 viteve që kjo qeveri të thotë këtë e kam të saktë. Aeroporti i Vlorës? Hekurudha? Rrugët që janë shembur? Porti i Durrësit?
Nëse më thoni një… Cila është kjo por more Denis se jeni dhe me kufje, unë nuk kam kufje, të ta thonë në kufje vetëm një”, u shpreh gazetari.
Gazetari i njohur Ilir Babaramo është shkarkuar nga puna si drejtues i emisionit “5 Pyetjet” nga botuesi i Report TV, Carlo Bolino.
Vetë Babaramo ka bërë me dije se vendimi i është komunikuar nga Bolino, përmes një telefonate në orët e vona të mbrëmjes. Sipas tij, arsyeja e vërtetë lidhet me qëndrimet kritike ndaj qeverisë.
“Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë”, ka deklaruar gazetari.
Në reagimin e tij, Babaramo thekson se ndërprerja e bashkëpunimit është bërë në mënyrë të njëanshme.
“Në këtë udhëkryq timin profesional dua të falënderoj të gjithë ata që besojnë se e vërteta nuk ka çmim. Bashkëpunimi im me televizionin Report tv është ndërprerë në mënyrë të njëanshme” shprehet gazetari Ilir Babaramo.
Ky nuk është rasti i parë që gazetari përballet me presion në të njëjtin televizion.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ndërpreu në mënyrë demonstrative një intervistë në studion e tij, duke hequr mikrofonin dhe duke u larguar pas përplasjeve të vazhdueshme me Babaramon.
“Këtu mbaron intervista… Nuk mund të vazhdoj më”, pati deklaruar Rama në atë kohë, pas më shumë se një ore pyetjesh mbi çështje të nxehta politike, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.
Po ashtu, Babaramo u spostua më herët nga formati kryesor në ‘prime time’, në Report tv, një lëvizje që u interpretua si vendim i drejtuesve të televizionit për t’i hapur rrugë një gazetareje më të afërt me qeverinë, Marsela Karapanço.

Comments are closed.