Pronari i Report TV Carlo Bollino ka reaguar lidhur me sulmin që gazetari Andi Bushati ka bërë ndaj gazetares Daniela Maloku ditën e djeshme në një postim në Facebook, pasi kjo e fundit në konferencën për shtyp të Berishës, kundërshtoi deklaratat e doktorit dhe etiketimet për pronarin apo televizionin ku ajo punon.
Carlo Bollino, është marrë vetëm me Bushatin, dhe asnjë fjalë për largimin nga puna të Ilir Babaramos, që më herët, televizioni e konsideroi si një largim për shkak të thyerjes së etikës.
“Pinjoll i bllokmenëve”, “adoleshenca në luksin komunist”, “servilizëm i pafytyrë”, “talibanizëm i Andi Bushatit”, “Zëdhënës i Saliut”, “Bushati me standart komunist dhe berishist”, janë disa nga etiketimet që Bollino shkruan për Bushatin në komentin e tij për ngjarjen.
Një ditë më parë, pas konferencës së Berishës ku etiketoi Bollinon si mafiozin numër 1 të medias shqiptare, gazetarja e Report TV, Daniela Maloku kundërshtoi, duke pretenduar se thotë të vërtetën e televizionit të vet.
Andi Bushati bëri ndërhyrjen e tij në rrjetet sociale. “Është e paimagjinueshme deri në ç’pikë ka mbërritur pafytyrësia në këtë profesionin tonë… të arrish të shesësh kolegun për t’u bërë leckë në emër të atij që të jep rrogën”, shkroi Bushati në një postim në Facebook, duke publikuar edhe foton e gazetares.
Daniela Maloku shkroi në të njëjtin status të Bushatit, duke i kthyer përgjigje se ndjeu detyrim të thoshte anën tjetër të medaljes. “Unë e kuptoj që mbase në botën e ‘gazetarisë së madhe’ është interesante të japësh leksione profesionalizmi, sidomos nga ata që më herët e kanë bërë vetë këtë gjë. Kujtoj një deklaratë tuajën “Spak ka gazetarë papagaj”, por kam zgjedhur që aty ku besoj se ka një të vërtetë, ta them. Ky mund të jetë virtyt, por edhe e metë, varet cilën anë të medaljes zgjidhni të shihni”, shkroi gazetarja Maloku. Këtu ndërhyn edhe Bollino.

“As Andi Bushati nuk është interesuar për të vërtetën. Ai, si zëdhënës i Saliut, ka sulmuar Danjelën, thjesht pse ajo ka sqaruar të vërtetën, por edhe për ta intimiduar, sepse kështu ”edukohen” drejt heshtjes edhe gazetarë të tjerë. Në fakt, për Bushatin vlen pikërisht argumenti që ai përdori kundër Danjelës: “Është e paimagjinueshme deri në ç’pikë ka mbërritur pafytyrësia në këtë profesionin tonë… të arrish të shesësh kolegen për t’u bërë leckë në emër të atij që të jep rrogën!!!” FIKS PËR BUSHATIN!
Përballë dy modeleve të ndryshme të gazetarisë shqiptare, Bushati ka një standard tipik komunist dhe berishist: gazetarë serioz si Danjela, nuk kanë të drejtë as të flasin, ndërsa gazetarë militantë si Ambrozia mund të thonë çfarë të duan… Është e panevojshme të shtojmë se Syri i Berishës ka publikuar sulmin e Bushatit ndaj Danjelës, por ka censuruar reagimin e Danjelës. Kjo është gazetaria e “leshit” që konceptojnë Bushati, Çim Peka dhe diktatori në pension Sali Berisha”, shkruan Bollino.

Comments are closed.