E ftuar këtë mëngjes në emisionin “Wake Up”, ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Danja Koka, foli me sinqeritet për përvojën e saj brenda shtëpisë, emocionet që ka përjetuar dhe planet e saj pas daljes nga spektakli.
E pyetur për shtysën që e çoi drejt pjesëmarrjes në Big Brother, Danja tha se mbështetja më e madhe i erdhi nga familjarët, kolegët dhe miqtë. “Të gjithë ishin shumë pozitivë… Edhe unë isha me Danjën,” u shpreh ajo me humor.
Për publikun, Danja është përmendur shpesh si “dielli i shtëpisë”, një epitet që ajo e pranon me përulësi, por nuk nguron të tregojë se ruajtja e qetësisë në një ambient të mbushur me tension nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Në një shtëpi ku ka debate dhe dinamika agresive, është e vështirë të ruash ekuilibrin. Unë jam pak nevrike si natyrë… kam ulëritur shumë, jam mërzitur me marrëdhënie që kam menduar se i kam afër,” rrëfeu ajo.
Një nga momentet më të vështira për Danjën ka qenë debati me Eglin. Ajo e kujtoi si një përplasje të fortë emocionale, ku nuk e kontrolloi dot veten: “Kam ulëritur sa më dolën sytë vendit,” tha me sinqeritet.
Megjithatë, ajo theksoi se pas daljes nga shtëpia, marrëdhënia me Eglin ka qenë e respektueshme, madje kanë rënë dakord të takohen për një kafe, ndonëse takimi ende nuk ka ndodhur.
Danja tregoi se pavarësisht sfidave, eksperienca e Big Brother mbetet një periudhë e rëndësishme dhe formuese për të.