Kryeministri Edi Rama si rrallë herë ka shafaqur ditën e sotme në rubrikën e tij në rrjetet sociale “SY m’SY”, edhe frikën për partitë e reja që po përgatiten seriozisht të hyjnë në skenën politike shqiptare.
Duke parë edhe sondazhet e fundit në televizionet shqiptare ku partia e Shehajt, Lapajt dhe Qorit janë në garë për të hyrë në Kuvend, ai ka nisur edhe sulmet e para të drejtpërdrejta ndaj tyre, që deri sot i ironizonte ose nuk i konsideronte fare.
Sot kreu i PS, që është konsumuar prej 12 vitesh në pushtet, i cilësoi këto parti të reja si “shëmbëlltyra që kërkojnë të hyjnë në valle dhe pastaj bëhen grabitqare”.
“Kandidati më i ri dhe më i vjetër këtu jam unë, në kuptimin e energjisë. Në listat e PS-së gjen më të rinjtë dhe ata me eksperiencë. “Duhet një parti e re?” imitacione të një partie që ishte e treta dhe e vërteta deri dje që u bë barra dhe halli i shqiptarëve, për këto nuk ka nevojë Shqipëria, pasi janë vetëm shëmbëlltyre që kërkojnë të hyjnë në valle dhe pastaj bëhen grabitqare”, u shpreh Rama.
Ai u shpreh se është “kandidati më i ri dhe më i vjetër”, duke iu referuar energjisë dhe eksperiencës që sipas tij bashkohen në listat e Partisë Socialiste.
“Duhet një parti e re?” – citoi Rama një komentues, duke shtuar se Shqipëria nuk ka nevojë për “imitacione të një partie që deri dje ishte e treta e vërteta, e sot është bërë barrë dhe hall”.
Prej disa muajsh në Shqipëri ka nisur të ndihet një rritje e ndjeshme e interesit publik ndaj partive të reja politike, një zhvillim që lidhet me pakënaqësinë e qytetarëve ndaj partisë në pushtet dhe Partisë Demokratike.
Në sfondin e një krize të gjatë besimi në klasën politike dhe mungesës së reformave të ndjeshme, qytetarët veçanërisht të rinjtë dhe diaspora po shohin tek partitë e reja një mundësi për ndryshim dhe përfaqësim ndryshe.
Ky shqetësim i Ramës është pasqyruar edhe në sondazhet e fundit të publikuara nga disa televizione kombëtare, ku partitë e reja kanë arritur përqindje të konsiderueshme mbështetjeje, sidomos në qarkun e Tiranës./ Pamfleti