Skip to content

‘Merre ose lëre’: SHBA i sjell Tiranës ultimatum për NATO-n 2.0 pa Europën! Ku duhet të shkojë Shqipëria?

Udhëkryqi i Shqipërisë: NATO-ja e re e Trump-it apo humbja e Evropës?

Një bombë ka mbërritur në korridoret diplomatike të Tiranës nga Uashingtoni. Siç mësohet, jo në formën e një dokumenti zyrtar, por të një elaborimi analistësh që punojnë si pjesë e përgatitjes së strategjive globale të administratës së Donald Trump.

Materiali nga SHBA i ka mbërritur Edi Ramës prej kohësh në mënyrë ekskluzive, ndërkohë që në korridoret e mjediseve evropiane është marrë vesh ekzistenca e tij.

Sipas këtij materiali, Donald Trump po përgatitet për një lëvizje të madhe strategjike, duke ndërtuar atë që konsiderohet NATO 2.0, ose më mirë aleanca e re politiko-ushtarake pas ribërjes nga e para të shtratit gjeopolitik të Lindjes së Mesme.

Momentalisht jemi në hapat e parë të konsultimeve, por duket se drafti është gati; ai flet në mënyrë të thjeshtë për ribërjen e aleancës strategjike të Shteteve të Bashkuara në botë. E sipas këtij drafti, Bordi i Paqes për Gazën, që shumica e konsiderojnë një shaka butaforike të Trump, do të jetë pak a shumë shtrati strategjik i NATO-s së re.

Donald Trump nuk ka shumë kohë për të pritur, pasi në nëntor ka zgjedhjet e mesmandatit, të cilat sipas të gjitha gjasave do t’i humbë thellë, pra demokratët do të kenë shumicën në Kongres dhe Senat. Çka i lejon pastaj ta vënë Presidentin në procedurën e Impeachment-it e ta shkarkojnë.

I gjendur në një situatë të tillë për “jetë a vdekje”, siç ndodhi gjatë fushatës së dytë elektorale, kur kishte zgjedhur vetëm: Burg ose President, edhe kësaj here burri portokalli po luan me bastin më të madh të mundshëm.

Përtej halleve të burrit portokalli, i cili në fund të fundit i ka punët e tij në terezi, problemi këtu është fati politik i Shqipërisë. Pasi ne vendosemi para një udhëkryqi të rrezikshëm, ngaqë nëse pranojmë të marrim pjesë në NATO-n familjare të Donald Trump-it, atëherë duhet ta harrojmë Bashkimin Evropian. E kjo do të ishte mjaft problematike në të ardhmen.

Edi Rama, mësohet se i ka ngrënë kurrizin dhe po pëshpërit nëpër kancelaritë evropiane se: “Po s’më pranuat shpejt, atëherë do të jem i detyruar të shkoj me Trump-in”.

Ndërkaq, kanë rrjedhur edhe pjesë nga përgjigjet e krerëve evropianë për kryeministrin shqiptar: “Duhet të mbash një qëndrim politik se ku do të rrish, jo të shantazhosh”.

Para një jave, në Paris, Marco Rubio, sekretari i Shtetit të SHBA-së, e tha hapur se kjo NATO nuk i duhet më SHBA-së, ngaqë nuk e ndihmon, kështu që do të largohet.

Shqipëria gjendet para një udhëkryqi strategjik, që e kthen situatën në kohën e para Konferencës së Londrës, ku vihet në rrezik tërësia territoriale dhe mbijetesa demografike aktuale.

Këtë vendim për të ardhmen nuk mund ta zgjidhë as një kryeministër që e urrejnë më shumë se gjysma e njerëzve, as klasa politike aktuale e atrofizuar. Duhet një debat kombëtar, me njerëzit më të zgjuar e të urtë, e më pas vendimi t’i lihet qytetarëve se ku duhet të rrijmë: me SHBA-në apo Europën, sepse zgjidhje të mesme duket se nuk do të ketë.

Po për këtë, së pari duhet shoshitur e gjithë çështja se çfarë na sjell NATO 2.0 dhe çfarë na heq, po ashtu çfarë të mirash do të kemi në Bashkimin Evropian pa ombrellën strategjike të sigurisë amerikane dhe çfarë humbim nëse e braktisim atë pjesë natyrore, jo vetëm gjeografike, por edhe të vlerave shpirtërore që shqiptarët kanë pasur që kur menduan si komb. /Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.