Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me asamblenë e Partisë Socialiste, Njësinë 14 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama u ndal te masa e rritjes së pensioneve, duke theksuar se me rritjen e ekonomisë, janë krijuar kushtet për rritje të pensioneve çdo vit.
“Tani i kemi të gjitha të planifikuara, pra nuk është diçka që varet se çfarë do të ndodhi vitin tjetër, të gjitha i keni të planifikuara dhe pensioni që u rrit në janar të këtij vitit do të dyfishohet ajo rritje, pra sa u rrit x, do bëhet herë dy në janarin e vitit tjetër, pastaj do bëhet herë tre në janarin e 2028-s, pastaj do të bëhet herë katër në janarin e 2029-s dhe herë pesë në janarin 2030-s”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë tha se tani janë rritur mundësitë, sepse është rritur ekonomia, ndërsa u ndal edhe të njerëzit që e lidhin këtë rritje me korrupsionin.
“Ata që flasin e flasin se s’ju del e keqja që ne vazhdojmë të fitojmë, thonë që është rritur korrupsioni. Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do ishin rritur të ardhurat e shtetit, nuk do ishte rritur mundësia për të rritur paga, po të ishte rritur korrupsioni”, vijoi Rama.
Rama prezantoi gjithashtu një program të ri për familjet me ndihmë ekonomike, ku përfituesit do të pajisen me kartë për të blerë ushqime bazë në pika të përcaktuara, duke garantuar që ndihma të shkojë direkt te nevojat thelbësore dhe të mos përdoret për pijet alkoolike ose bixhozin.

Comments are closed.