Skip to content

policia fundos fierakun 27-vjeçar

Ka marrë fund arratisja prej një viti e Kelmend Beqaj, i cili ishte shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë kriminale që tronditi opinionin publik në fillim të vitit 2025. I riu, i akuzuar për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”, është arrestuar nga Policia Kufitare në pikën e Kakavijës, teksa tentonte të kalonte kufirin.

Sipas burimeve zyrtare, Beqaj ishte autor i plagosjes me armë zjarri të Gledian Hoxhallari, një ngjarje e ndodhur në mbrëmjen e 5 janarit 2025, në një lokal pranë zonës së njohur si “Zogu i Zi” në Fier.

Ngjarja, e cila mbetet një nga më të komentuarat për dinamikën e saj, kishte në thelb një konflikt personal. Beqaj kishte krijuar një lidhje intime me Melisa Hoxhallari, bashkëshorten e viktimës, e cila në atë kohë ishte në proces divorci me Gledianin.

Mbrëmjen e ngjarjes, 42-vjeçari kishte dalë në lokal së bashku me djalin e tij 9-vjeçar, për të takuar bashkëshorten. Por, në sy të fëmijës, ai u qëllua me armë zjarri nga Beqaj, i cili dyshohet se e kishte ndjekur.

Pas ngjarjest, Beqaj u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke nisur një arrati që do të zgjaste për më shumë se një vit. Në krah të tij u arratis edhe Melisa Hoxhallari, e cila më vonë vendosi të vetëdorëzohej në polici, duke u përballur me drejtësinë.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vihet në pranga një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier bënë të mundur ndalimin e shtetasit K. B., 27 vjeç, banues në Fier, i shpallur më parë në kërkim.

Nga hetimet rezulton se ky shtetas, më datë 05.01.2025, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin G. H., 42 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Për këtë rast, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shtetasi K. B., u ndalua në Kakavijë nga shërbimet e Policisë Kufitare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Published inBank

Comments are closed.