Skip to content

Pas largimit të Belinda Ballukut, pritet rikthimi i Endri Fugës, si u largua krahu i djathtë i Edi Ramës në Indonezi pas…

Ikja e papritur e Endri Fugës drejt Xhakartës nuk ishte një zhvillim i izoluar, por pjesë e një zinxhiri ngjarjesh që sot pas goditjes së Belinda Ballukut nga SPAK dhe dobësimit të saj politik në PS, po marrin një kuptim krejt tjetër. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se pas largimit të zëvendëses së Edi Ramës nga skena vendimmarrëse pritet rikthimi i Endri Fugës.

Të gjitha të dhënat e bëjnë të qartë se largimi i tij nuk ishte një vendim personal, por një akt i diktuar nga presionet, frika dhe konfliktet e brendshme në nivelet më të larta të pushtetit, ku përplasja mes Ballukut dhe kampit të Erion Veliajt kishte arritur kulmin dhe ku Fuga, si një nga njerëzit më të afërt dhe besnikë të Veliajt, u gjend në vijën e parë të kësaj lufte.

Sipas informacioneve që dalin nga prapaskenat, përplasja mes këtyre dy kampeve nuk ishte thjesht politike, por një betejë e hapur për kontroll mbi vendimmarrjen, burimet dhe sidomos mbi ndikimin mediatik, një fushë ku Fuga kishte ndërtuar për vite një sistem të tërë që funksiononte si mekanizëm ndikimi në favor të pushtetit. Por goditja e Ballukut nuk u ndal te Fuga.

Balluku zgjeroi ndikimin e saj duke goditur edhe figurat më të forta të Kryeministrisë. Një prej tyre ishte Engjëll Agaçi. Ai konsiderohet si njeriu që kontrollon mekanizmin e brendshëm të shtetit dhe si figura më e afërt e Ramës në vendimmarrje. Largimi i tij u paraqit si çështje shëndeti, por në prapaskenë erdhi si rezultat i presionit dhe lëvizjeve të brendshme, ku roli i Ballukut ishte vendimtar për ta nxjerrë nga loja duke hapur rrugë për njerëzit e saj. E njëjta skemë u përsërit edhe me Vali Bizhgën.

Edhe ajo, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ramës prej vitesh, u largua zyrtarisht për arsye shëndetësore. Në këtë panoramë, zhvillimet e fundit tregojnë për një kthesë të re. Dobësimi i Ballukut dhe dalja e saj nga loja ka ndryshuar balancat brenda PS. Burime bëjnë me dije se rikthimi i mundshëm i Fugës lidhet edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm, rregullimin e raporteve mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Nëse më parë përplasja mes kampeve të tyre solli largimin e njerëzve kyç, sot afrimi mes tyre po krijon terrenin për rikthimin e besnikëve, ku Fuga shihet si një nga figurat kryesore. Kjo do të thotë se largimi i tij nuk ishte fundi i rolit të tij në pushtet, por një tërheqje e detyruar në një moment kritik.

Fuga-Veliaj dhe fijet që lëvizi Balluku

Fuga nuk ishte thjesht një teknokrat i propagandës. Ai ishte një strateg me fuqi të pakufishme mbi mediat, ministrat dhe oligarkët. Por edhe një mik personal i Veliajt që prej kohës së “MJAFT!”. Në vitin 2002, ai ishte pjesë e themeluesve së bashku me Erion Veliajn, Arbi Maznikun dhe Marinela Likën. Që nga ajo kohë, Fuga mbeti njeriu i lidhur ngushtë me Veliajn në çdo hap.

Veliaj pësoi një rënie të papritur dhe të pabesueshme në skenën politike shqiptare. Arrestimi i tij nga Prokuroria e Posaçme, për akuzat e korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave, vazhdon të shpalosë në publik përplasjet e nëndheshme për pushtet dhe “thika pas shpine” brenda kupolës së pushtetit rilindas.

Deri më tani faktet tregojnë se figura kyçe që shfrytëzoi situatën e rëndë që po kaloi Veliaj deri pa i ardhur “laku te fyti” nga SPAK ishte Belinda Balluku. Dyshohet se kanë qenë ajo që ka lëvizur fijet për të sjellë rënien e Veliajt. Madje këtë tezë e përforcoi edhe më shumë Arben Ahmetaj, i cili ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm në PS. Nga arratia në Zvicër, ai tha se Balluku ka paguar njerëz për të protestuar kundër Erion Veliajt.

“Po, pooo. Njerëz të saj kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë. Ore shiko se kur të mbarosh këtë intervistën do ulesh me njerëz, kolegë të tu gazetar dhe do thonë, po ne i dimë këto o burrë, ca tha… thojini pra”, tha Ahmetaj disa kohë më parë.

Published inBank

Comments are closed.