Skip to content

“TËRMET” në Hungari! Sondazhet nxjerrin humbës Viktor Orban pas 16 vitesh në pushtet, opozita drejt fitores historike

Qendrat e votimit në të gjithë Hungarinë janë drejt mbylljes, duke shënuar fundin e një procesi zgjedhor që pritet të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit. Megjithatë, autoritetet zgjedhore kanë bërë të ditur se në disa zona votimi do të vijojë edhe përtej orarit zyrtar, për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që janë në radhë të hedhin votën e tyre.

Këto zgjedhje janë karakterizuar nga një interes i jashtëzakonshëm i votuesve. Sipas të dhënave të fundit, pjesëmarrja ka arritur në 77.8%, duke shënuar një rekord historik dhe duke tejkaluar ndjeshëm nivelin e vitit 2002, kur pjesëmarrja ishte 73.51%.

Radhët e gjata në qendrat e votimit janë ndikuar jo vetëm nga pjesëmarrja e lartë, por edhe nga specifikat e ligjit zgjedhor hungarez. Ky i fundit u lejon qytetarëve të votojnë në qytete të tjera nga ai i banimit, për kandidatët e zonës së tyre të origjinës. Si rezultat, mijëra votues janë drejtuar drejt qyteteve të mëdha, veçanërisht në Budapest, duke shtuar fluksin në qendrat e votimit.

Ndërkohë që rezultatet zyrtare pritet të vonojnë dhe në këto zgjedhje nuk mungojnë sondazhet e zakonshme. Dy sondazhe të publikuara menjëherë pas mbylljes së procesit hedhin dritë mbi një zhvillim të mundshëm dramatik.

Sipas sondazhit të realizuar nga Median, partia opozitare Tisza kryeson bindshëm me 57.1% të votave, çka do t’i siguronte rreth 135 mandate në parlament, mjaftueshëm për të arritur një shumicë prej dy të tretash. Një tjetër sondazh nga Qendra Kërkimore 21 e vendos Tisza në 55% dhe 132 mandate.

Nga ana tjetër, partia në pushtet Fidesz, e drejtuar nga kryeministri Viktor Orban, parashikohet të marrë rreth 37-38% të votave sipas të njëjtave sondazhe.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto janë vetëm sondazhe dhe jo rezultate zyrtare. Median ka kryer matjet gjatë ditës së sotme mes votuesve, ndërsa Qendra Kërkimore 21 i ka zhvilluar ato në periudhën 8-11 prill.

Nëse këto projeksione konfirmohen nga numërimi zyrtar, Hungaria mund të jetë në prag të një ndryshimi të madh politik, me largimin e Viktor Orban nga pushteti pas 16 vitesh dhe ardhjen në krye të vendit të liderit opozitar Peter Magyar.

Published inBank

Comments are closed.