Baristi i famshëm shqiptar, (Videot e tij kanë miliona shikime), Dritan Alsela, i cili jeton dhe punon në Itali, ka reaguar ashpër ndaj Sali Berishës. Ky i fundit këtë të hënë përdori një video të Alselës me mbi 3 milion shikime, për të goditur Edi Ramën. Pas kësaj nëpërmjet një shënimi në faqen e tij FB, baristi i njohur i përvishet Berishës por edhe Ramës duke i cilësuar uzurpuesit e demokracisë shqiptsre dhe arsyeja e vërtetë, pse ai dhe miliona shqiptarë janë detyruar të braktisin vendin.
Ky person në këtë video ka një emër dhe një mbiemër: Dritan Alsela – të cilin ju, zoti Berisha, jeni i detyruar të paktën ta përmendni. Përdorimi i kësaj videoje pa informimin dhe pa pëlqimin tim është një shkelje e qartë e të drejtës së autorit, një koncept që ju, i formuar me mentalitetin “unë jam mbi gjithçka”, as nuk e njihni dhe as nuk e pranoni.
Unë kam mundësinë që këtë video ta fshij brenda pak minutash, por nuk ia vlen të merrem me dikë që koha vetë e ka vendosur aty ku është sot. Unë jam Dritan Alsela. Kur ju erdhët në pushtet, unë nuk i kisha mbushur ende 18 vjeç, dhe ajo që ju i bëtë Shqipërisë – ekonomikisht, shoqërisht dhe mbi të gjitha një brezi të tërë të rinjsh si unë – është ndër dëmet më të mëdha që i janë bërë këtij vendi.
Unë e kam përjetuar vetë, jo nga larg, por nga brenda: ishte politika juaj, ishte drejtimi juaj, ishte stili juaj. Ju morët në dorë një lëvizje që nuk ishte e juaja, një lëvizje që mbante shpresën e një Shqipërie europiane, dhe e shkatërruat. Ju i detyruat njerëz si unë të mos e shohin më të ardhmen në vendin e tyre dhe të largohen.
Ajo që erdhi më pas, dhe ajo që vazhdon edhe sot, është pasojë direkte e asaj kohe. Për mua nuk ka pasur kurrë ndryshim thelbësor mes partive në Shqipëri; emra të ndryshëm, por të njëjtat rrënjë: njëra anë përfaqësonte të vjetrën komuniste, tjetra strukturat e fshehta që e mbajtën atë gjallë. Këto struktura të errëta nuk janë zhdukur kurrë, ato vazhdojnë të jetojnë edhe sot. Demokraci e vërtetë nuk ka pasur kurrë.
Dhe ajo që ndodh sot nuk është rastësi. Ajo që bën Edi Rama sot është thjesht vazhdimi i asaj që ju keni nisur. Ai po e çon deri në fund një sistem që e mban Shqipërinë peng, një vend që nuk i shërben vetes, por strukturave të vjetra të pushtetit. Ky është realiteti, dhe ky është edhe rezultati i asaj që ju keni ndërtuar.

Comments are closed.