Rama dhe Berisha e morën mesazhin, mbështetja amerikane nuk blihet kollaj…
Presidentit serb Aleksandar Vuçiç i kanë “vënë drunë” në SHBA. Prej disa ditësh, ai po rrinte pas dere duke pritur një takim me Donald Trump, por dështoi. Sot u kthye në Beograd me “bishtin ndër shalë”.
Vuçiç, duke përdorur lidhjet me djalin e Trump, u përpoq të shfrytëzonte marrëdhëniet familjare për të siguruar një takim, në kulmin e protestave në Serbi.
Por, ky rast mund të shërbejë si një ilustrim i faktit që, edhe për politikanët e rëndësishëm, sigurimi i një takimi të rëndësishëm me udhëheqës të SHBA është një mundësi e vështirë dhe e ndërlikuar për t’u siguruar.
Në këtë kontekst, mund të bëhet një paralele me situatën në Shqipëri. Berisha, me kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh me Continental për të hequr non-gratën dhe për të siguruar një vizitë në SHBA, gjithashtu përpiqet të përdorë influencën për të siguruar një takim me liderët amerikanë, gjë që nënkupton se përpjekjet e tij janë gjithashtu të lidhura ngushtë me faktorët e pushtetit politik dhe lobizmin. Ky është një tregues që për të siguruar njohjen dhe mbështetjen e politikës amerikane, nuk është e mjaftueshme thjesht të jesh një politikan i njohur apo i fuqishëm në vendin tënd, apo të hedhësh miliona.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama është gjithashtu duke negociuar me Jared Kushner për të tërhequr investime në Shqipëri. Ky angazhim për të siguruar investime të huaja dhe më specifikisht investimet amerikane, tregon se, për të siguruar mbështetje ekonomike dhe politike, liderët shqiptarë janë të angazhuar në një lojë të vështirë për të krijuar lidhje të forta me SHBA, duke përdorur si diplomacinë, ashtu edhe marrëveshjet e tjera të biznesit dhe lobimin.
Por, nëse shohim Vuçiçin, si Rama ashtu dhe Berisha do ta kenë të vështirë. Të dy kanë lëvizur shumë gurë për të siguruar një vizitë në SHBA para fushatës, por dështuan. Rama na premtoi një surprizë pak kohë më parë dhe në korridore flitej se po tentonte të bënte takime me rëndësi në SHBA, por nuk ka shkelur prej kohësh atje. Berisha është “non grata” prej 4 vitesh dhe fakti që pajtoi një kompani lobimi, dëshmon se gjithë miqtë dhe njerëz pranë Trump nuk e ndihmonin dot.
Vuçiç priti dy herë në Serbi Donald Trump Junior dhe fakti që hante e pinte me djalin e presidentit i dha siguri se mund të shkonte në zyrën ovale. Por, sot u dha mesazhi i qartë se SHBA nuk blihet lehtë. Si Berisha duhet ta dije se ajo “non grata” mund të mos preket fare. Si Rama duhet ta dijë se nuk do të thotë se ke mik Jared Kushner dhe ke siguruar mbështetjen e Trump. /Pamfleti