Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbuluar momentet kur një bandë shqiptarësh, disa prej të cilëve kishin bazën në West Midlands sulmuan prona në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.
Banda përbëhej nga një grup i krimit të organizuar shqiptar dhe një grua britanike, të cilët kanë kryer të paktën 44 vjedhje me thyerje në disa rajone të vendit, përfshirë nëntë raste në Staffordshire.
Sipas policisë, ata kanë vjedhur mallra me vlerë mbi 1 milion paund.
Policia e Staffordshire, në bashkëpunim me forcat e Cheshire, Derbyshire dhe Nottinghamshire, kanë publikuar pamjet që tregojnë shqiptarët e maskuar duke transportuar një kasafortë të rëndë dhe duke përdorur shkallë për të hyrë në ballkone banesash.
Sendet e vjedhura përfshinin çanta luksoze, shishe vere të shtrenjta, para të gatshme dhe bizhuteri, ku një pjesë është rikuperuar, ndërsa pjesa më e madhe është shitur.
Pesë anëtarët e bandës janë dënuar me një total prej më shumë se 38 vitesh burg në Gjykatën e Kurorës në Chester, më 13 dhe 14 prill. Një i gjashtë pritet të marrë dënimin më vonë gjatë këtij muaji.
Të pandehurit, përfshirë Endrit Nikollin (27), George Lleshajn (31), Kristian Dedndreajn (28) dhe Sidorjan Lleshin (26), janë deklaruar fajtorë për komplot për vjedhje me thyerje dhe për posedim të pasurisë kriminale.
Sipas prokurorisë, banda synonte banesa luksoze duke i zgjedhur sipas madhësisë, pasurisë së pronarëve dhe mundësisë për arratisje të shpejtë. Ata udhëtonin qindra kilometra dhe përdornin makina me qira për të shmangur gjurmimin.
Disa nga vjedhjet ndodhën ndërsa pronarët ishin brenda shtëpive të tyre, duke shkaktuar frikë dhe dëme të konsiderueshme. Në një rast, u vodhën sende me vlerë rreth 238 mijë paund, ndërsa në një tjetër u morën 32 ora luksoze.

Comments are closed.