Skip to content

Brukseli “gozhdon” Edi Ramën për RTSH, gati largimi i Eni Vasilit, çfarë i zbuluan europianët Kryeministrit

Pas pyetjeve të negociatorëve europianë për videon ku Rama foli për shkrirjen e televizionit publik, Brukseli ka kërkuar modelin e BBC-së, me konsensus dhe të drejtë vetoje për opozitën…

Bashkimi Europian i ka bllokuar përfundimisht planet e Edi Ramës për shkrirjen e Radio Televizionit Publik Shqiptar, të cilat hapnin rrugë ndërtimit të kullave në territorin e RTSH-së. Gjatë diskutimeve për raportin EBAR në Bruksel, negociatorët shqiptarë janë pyetur për videon e kryeministrit ku ai fliste për shkrirjen e medias publike. BE dhe EBU kanë kërkuar që RTSH-ja të kthehet në një shërbim publik sipas modelit të BBC-së, me një bord drejtues të zgjedhur me konsensus dhe opozitën me të drejtë vetoje. Si shenjë e parë e zbatimit të këtij plani, pritet dorëheqja e drejtores së përgjithshme Eni Vasili, e vendosur në krye të RTSH-së me pëlqimin e Ramës. Ndërkohë, projekti për kullat është anuluar pas alarmit të Brukselit nga mediat shqiptare, veçanërisht “Pamfleti”.

Bashkimi Europian ka bllokuar përfundimisht planin e Edi Ramës për të shkrirë televizionin publik dhe krijuar kështu mundësinë e marrjes së terrenit të tij për ndërtimin e kullave.

Siç mësohet, në diskutimet që janë zhvilluar në Bruksel në lidhje me miratimin e raportit EBAR, janë pyetur negociatorët shqiptarë në lidhje me videon e Edi Ramës ku ka folur për shkrirjen e Radio Televizionit Publik.

Pas pyetjes ka ardhur një koment ku është thënë që qenia e një shërbimi publik të informimit është një standard europian që duhet zbatuar. Ndërkaq, përveç këtij rasti, EBU, autoriteti i transmetimeve televizive, ka qenë më i detajuar në këtë çështje, duke shprehur në një dokument shqetësimin në lidhje me kërcënimin e Edi Ramës.

Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë që RTSH-ja duhet kthyer në një media publike sipas modelit të BBC-së, duke propozuar që plani të nisë menjëherë.

Madje ka edhe një draft për këtë, ku parashikohet që Parlamenti, sipas modelit të komisioneve të reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, të krijojë një grup pune mes të gjitha partive, ku opozita të ketë të drejtën e vetos në lidhje me ribërjen e Radio Televizionit Shqiptar.

Plani parashikon ngritjen e një bordi që të mos zgjidhet me vota të mazhorancës në Kuvend, por me konsensus nga të gjitha palët. Ky plan parashikon largimin e Këshillit Drejtues aktual e natyrisht edhe të Eni Vasilit, që ka ardhur në krye të RTSH-së me pëlqimin e Edi Ramës dhe familjes së tij.

Instanca e BE-së ka qenë ultimative, pasi është mësuar se RTSH-ja ka një plan për shndërrimin e territorit ku ndodhet godina në kulla ndërtimi. Duke cituar shqetësimet që ka ngritur media shqiptare e posaçërisht “Pamfleti”, pyetjet në Bruksel kanë pasur si temë edhe mundësinë e ngritjes së një kulle, çka ka alarmuar negociatorët e qeverisë.

Pikërisht ngritja e këtij alarmi duket se ka bërë që plani i ndërtimit të kullave të anulohet, pasi mund të sjellë një acarim të mëtejshëm të situatës.

Përfaqësuesit e qeverisë kanë shprehur një dakordësi për një plan konsensual për ta kthyer RTSH-në në një media konsensuale, ku të gjitha partitë të kenë të drejtë përfaqësimi.

Pikërisht për të dhënë një sinjal në lidhje me këtë çështje, në ditët në vazhdim pritet që Eni Vasili të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Akt që më pas do të rihapë të gjithë procedurën e rinisjes së zgjedhjes së organeve drejtuese. Pas largimit të Vasilit, pritet që në Kuvend të flitet që të rizgjidhet Këshilli Drejtues me një formulë të ndryshme, pra me konsensus, jo vetëm me votat e mazhorancës. Nga drafti paraprak pritet që Këshilli të mos ketë 7 anëtarë, por ka edhe zëra që të ketë pesë, ku të jenë emra të njohur të kulturës dhe gazetarisë shqiptare, e jo njerëz që punojnë në zyrat partiake./Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.