Nje i vd*kur dhe 5 te pl*gosur! Zbulohet arsyeja e t*rpshme e vr*sjes ne Lac

Një sherr banal në qytetin e Laçit ka përfunduar në tragjedi, ku pas një përplasjeje me armë mbetën të plagosur pesë persona dhe njëri prej tyre humbi jetën.

Viktima është 24-vjeçari Gerald (Geri) Bitri, i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës si pasojë e plagëve të rënda të marra gjatë ngjarjes.

Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit. Sipas burimeve policore dhe pamjeve të sigurisë, sherri nisi për një arsye thuajse të pabesueshme: një vështrim mes të rinjve që u interpretua si provokim. Fjalët “Pse më sheh?” duket se ishin shkaku i përplasjes që eskaloi me përdorimin e armëve.

Të plagosurit e tjerë janë Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Angjelina Gjezaj, një shitëse qirinjsh që ndodhej rastësisht aty dhe tentoi të ndërhynte për të ndarë konfliktin. Ajo ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Hetimet zbuluan se janë përdorur dy armë zjarri, një përforcues grushti dhe dy automjete. Policia ka arrestuar dy të rinj: Daniel Gjeloshi, 27 vjeç dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç, të dyshuar si autorë të ngjarjes për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.

Nga sa mësohet, gjithçka nisi pas një aksidenti të vogël rrugor me dëme materiale minimale, i cili çoi në fyerje, përplasje fizike dhe më pas të shtënat. Arrestimet janë kryer mbrëmjen e së shtunës, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.

Një sherr i nisur për një arsye të vogël mori jetën e një të riu dhe plagosi të pafajshëm. Tronditje dhe dhimbje në qytetin e Laçit.