Gazetari Artan Hoxha ka folur sot mbi zhvillimet e fundit të SPAK mbi dosjen AKSHI, ku u sekuestruan afro 40 milionë euro prona të personave të përfshirë, mes të cilëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Artan Hoxha deklaroi se Agasi ndodhet brenda vendit, por nuk do të ketë shumë gjatë mbështetje. Sipas tij ai ka parë dhe ka filmuar më shumë sesa duhet.
“Ergys Agasi nuk është kapur dhe është në mbrojtje dhe është brenda territorit të Shqipërisë. Kjo është e verifikuar. Është brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Dhe duke qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, Ergys Agasi është njëkohësisht edhe kërcënim për ata që ka patur sipër, por edhe problem për ata që ka poshtë. Dhe ata që e mbajnë sot dhe i garantojnë siguri, nuk do t’ia ofrojnë këtë pafundësisht. Kur të shikojnë që nuk ka më shpresë të dilet nga kjo situatë dhe për fatin e tij të keq, Ergys Agasi di më shumë se ç’duhet të dinte dhe ka filluar më shumë se ç’duhet të filmonte, se ai nuk ka filluar që t’i kapte ndonjë ditë prokuroria ato. Ai ka filluar e i ka përdorur për të tjera gjë. Ai na ka dëshmuar ne si një sondë që ka hyrë në thellësi të pushtetit dhe na ka treguar se si ky, si ky pushtet ekzekutohet dhe se si ai arrin të mbijetojë pa pësuar, madje të kalojë nga fitorja në fitore e të maksimalizojë”, tha Hoxha në “Të Paekspozuarit”.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sekuestrimin e një numri të madh pasurish në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Vendimi erdhi në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për dosjen e AKSHI-t. Mes pasurive të bllokuara ka shtëpi, sipërfaqe toke, terrene pyjore, vila, por edhe automjete luksoze, jahte, si dhe llogari bankare e aksione në subjekte tregtare. Sipas njoftimit të prokurorisë së posaçme, vlera e pasurive të sekuestruara është mbi 40 milionë euro.

Comments are closed.