Skip to content

Najada Çomo prek shqiptarët: Pashë kolegët që tërhiqeshin “zvarrë” nga dhimbja, aty kuptova se ishim në luftë nëse njëri dorëzohej zinxhiri këputej

Pandemia e Covid-19 nuk ishte vetëm një sfidë mjekësore, por një betejë e vërtetë për jetën. Doktoresha Najada Çomo, drejtuesja e spitalit Infektiv, e përshkruan uniformën e mbrojtjes si një simbol të historive të shumta që mbart, jetë të shpëtuara, humbje të dhimbshme, lodhje fizike dhe emocionale. Gjatë një interviste të dhënë për Euronews Albania Çomo tha se e vetmja frikë që kishte gjatë pandemisë ishte shëndeti i familjarëve të saj.

“Për veten nuk kisha frikë, ose më saktë nuk kisha kohë të kisha frikë. E them gjithmonë: nëse do të kisha frikë, do ta transmetoja tek të tjerët. Mendimi dominues në kokën time ishte vetëm një: Najada, vazhdo përpara, sepse ndryshe ky shërbim ndaj njerëzve nuk ecën. Ne ishim përballë të panjohurës. Nuk e dinim çfarë do të ndodhte. Unë thjesht zgjohesha, vishesha, shkoja në punë dhe kthehesha. Ishte një rutinë e gjatë, e pandërprerë. Për veten nuk pata frikë asnjëherë. Për familjarët, po, patjetër.

Sot, kur e kujtoj, më vjen ndër mend se si bashkëshorti apo vajza, kur kolliteshin, përpiqeshin ta mbanin, që unë të mos e dëgjoja. Sepse për mua do të ishte një alarm i madh. Për të shmangur rrezikun, nuk takoja askënd. Madje mamanë e kam takuar vetëm pas më shumë se një viti, sepse kisha frikë mos isha unë shkaku që ajo të sëmurej. Nuk ishte e lehtë të mos shihje nënën kaq gjatë, por e kisha parim: sa më pak kontakte, aq më shumë siguri.

Përveç ndonjë mbledhjeje të detyruar në Ministrinë e Shëndetësisë për raportime zyrtare, nuk kam shkuar askund tjetër. Nuk kisha frikë se do infektohesha, sepse isha njeriu që mbajta uniformën deri në ditën kur u shërua pacienti i fundit i pandemisë së madhe.”– tha Çomo.

Për mjekët që e veshën, uniforma u kthye në simbol të një lufte të vërtetë. Çomo e përshkruan këtë uniformë si një mbartëse të historive të shumta, jetë të shpëtuara, humbje të dhimbshme, lodhje fizike dhe emocionale. Ajo kujton se dikur e kishte parë në filma, si tek “Outbreak” me Dustin Hoffman, por kur pandemia u bë realitet, uniforma nuk ishte më pjesë e një skenari kinematografik, ishte pjesë e përditshmërisë së saj dhe e gjithë stafit mjekësor.

Në kujtimet e saj, Çomo rrëfen momentet e vështira kur humbeshin disa pacientë brenda pak orësh. Ajo pa kolegët e saj duke ecur ngadalë, me këmbët që tërhiqeshin zvarr nga pesha e dhimbjes dhe lodhjes. Ishte një pamje që i ngjante një fronti lufte, ku dorëzimi i njërit mund të sillte dobësimin e të gjithëve. Për këtë arsye, ajo ndiente detyrimin të qëndronte gjithmonë e fortë, për të mbajtur gjallë moralin e stafit dhe për të vazhduar punën pa u ndalur.

Ka shumë histori brenda kësaj veshjeje. Nuk është thjesht një uniformë. E kam parë në dokumentarë të huaj për Covidin, në filma, madje dikur edhe në një film me Dustin Hoffman për ethet hemorragjike. Atëherë më dukej thjesht një film i bukur, por sot kjo veshje është bërë realitet për gjithë botën, edhe për ne në Shqipëri. Ne që e kemi veshur e dimë se çfarë mbart: jetë të shpëtuara, por edhe humbje të dhimbshme.

Kam qenë në një pozitë të vështirë, ku duhej me çdo kusht të inkurajoja stafin. Ata punuan fort, por lodhja dhe trishtimi shpesh i rëndonin. Një mëngjes, kur humbëm disa pacientë brenda pak orësh, pashë kolegët e mi duke ecur ngadalë, me këmbët që tërhiqeshin “zvarr” nga pesha e dhimbjes. Ishte një pamje që nuk do ta harroj kurrë. Në ato momente e kuptova se, si në luftë, nëse dikush dorëzohet, zinxhiri thyhet. Prandaj më duhej të isha gjithmonë në tonus, për të punuar dhe për të mbajtur fort gjithë ata gra e burra, vajza e djem të rinj që luftonin krah me krah.“-tha ajo për Euronews Albania.

Published inBank

Comments are closed.