Skip to content

E papritur! Pse hesht Elisa Spiropali?

Paralajmërimi ndaj Spiropalit nuk duket thjesht disiplinë partie, por frikë nga një zë që mund të zgjojë socialistët e lodhur nga arroganca, emërimet klienteliste dhe boshatisja politike e së majtës…

Edi Rama, pasi e ndaloi të flasë dhe të bëjë çdo lloj gjesti në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, në takimin e fundit i dha paralajmërimin final Elisa Spiropalit.

Lajmi u shpërnda nga “kuzhina” e propagandës së Ramës, me një tekst të gatshëm, sipas të cilit kryeministri e paralajmëroi se, nëse flet edhe një herë apo ndërmerr një akt tjetër politik, do të përjashtohet nga grupi. Po e njëjta zyrë shpërndau edhe variantin tjetër: se Elisa kishte thënë që, nëse e përjashton Rama, është në rregull, por nëse e përjashton ajo, (duke nënkuptuar Ballukun), nuk do ta pranonte. Një spin kaotik, për ta çuar debatin në hullinë që dëshiron Rama, një teknikë e përdorur prej vitesh. Çdo kritikë apo debat që nuk i ka pëlqyer, e ka kanalizuar si konflikt personal brenda radhëve të tij, dhe jo si shprehje e një pakënaqësie reale ndaj mënyrës së drejtimit të mazhorancës.

Pak javë më parë, Elisa Spiropali publikoi një ‘pamflet’ ku theksonte se po detyrohej të heshtte, duke shtuar se nuk kishte frikë nga paralajmërimet dhe shantazhet dhe se do të vazhdonte përpara.

Politika nuk është as workshop dhe as shkollë nate, ku mund të aktivizohesh një ditë dhe të mungosh një javë. Është një betejë e vazhdueshme, ku pasi hyn, duhet të ecësh përpara për të fituar terren ditë pas dite, deri në arritjen e objektivit që i ke vendosur vetes.

Është një rrugë ku mund të rrëzohesh, të pengohesh, të plagosesh, të lëndohesh dhe ndoshta edhe të “eliminohesh” politikisht. Por nëse lë një gjurmë, ajo mbetet si shenjë në rrugën e shkelur.

Elisa Spiropali është kthyer në një shqetësim real për Edi Ramën. Jo për “bombat” që mund të ketë hedhur publikisht, por sepse ka zgjuar frikën e tij të brendshme.

Një frikë se ngritja e zërit të “Mamicës” së tij mund të zgjojë edhe të tjerët, ata që janë të lodhur nga arroganca e gjatë dhe shpesh absurde e pushtetit. Ata që ndihen të papërfaqësuar, të injoruar dhe të fyer brenda Partisë Socialiste dhe administratës.

“Zgjimi” i Elisës përfaqëson për Ramën rrezikun e krisjes së imazhit të tij si i fortë dhe i pakontestueshëm. Një krisje që mund të kthehet në një reagim më të gjerë; nga opozita, qytetarët dhe vetë socialistët.

Pikërisht për këtë moment, i cili mund të jetë i shkurtër, Elisa Spiropali nuk duhet të heshtë dhe as të devijojë debatin aty ku kërkon Rama, në çështje proceduriale apo konflikte personale brenda partisë.

Nëse ajo është e zemëruar për mënyrën e largimit nga qeveria, një largim që mund të perceptohet si i padrejtë dhe fyes, atëherë duhet të reagojë dhe të zhvillojë një betejë politike për dinjitetin e saj.

Por më shumë se kaq, duhet të shfrytëzojë momentin për të zgjuar socialistët.

Ndoshta largimi i saj është një moment “providencial” për të nxitur një reagim të brendshëm kundër arrogancës, abuzimit me pushtetin, bllokimit të rifreskimit të elitave dhe deformimit të përfaqësimit politik.

Një mazhorancë që, sipas perceptimit publik, po kontrollohet gjithnjë e më shumë nga interesa jashtë politikës klasike; nga rrjete klienteliste e deri te struktura që ndikojnë në vendimmarrje përmes emërimeve në administratë.

Këto struktura përbëjnë një formë oligarkie funksionale, ku kontrolli politik shpesh relativizohet, madje edhe për vetë kryeministrin.

Në këtë kontekst, Elisa Spiropali duhet të flasë tani, dhe qartë.

Jo vetëm për veten, por për të ndalur një proces që synon, sipas këtij këndvështrimi, të zhbëjë çdo grup interesi dhe çdo ekuilibër të brendshëm në PS, duke i zëvendësuar ato me struktura të reja besnikërie personale.

Një proces që pritet të reflektohet edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin vendor, duke e transformuar partinë nga një organizëm politik në një mekanizëm përfaqësimi interesash të fragmentuara.

Nëse kjo vijon, rreziku është që Partia Socialiste të humbasë identitetin e saj ideologjik dhe të shndërrohet në një strukturë hibride, ku bashkëjetojnë interesa të papajtueshme; nga klientelizmi te ndikime të jashtme politike.

Një trajektore që nuk është e panjohur në Europë. Dhe ku shembujt e fundit tregojnë se fundi i së majtës klasike nuk vjen gjithmonë nga kundërshtari, por nga transformimi i brendshëm./Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.