Deputetja e PS Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj Salarjon Totaj kanë ngritur një perandori financiare si dhe kanë futur duart në paratë dhe pronat publike, nën ombrellën e pushtetit të Partisë Socialiste, por sidomos duke përdorur dhe keqpërdorur emrin e Gramoz Ruçit, një prej figurave më emblematike dhe historike të socialistëve.
Pas rikthimit të PS në pushtet në 2013, Salarjon Totaj ka hyrë në çdo zyrë të nevojshme shteti, është katapultuar në funksione publike si dhe ka finalizuar skema përfitimi me kartën se është nipi i Gramoz Ruçit, një pretendim i rremë, por që gjithsesi e ka ndihmuar për në rrugën e pasurimit. (Në të vërtetë Salarjon Totaj është djali i një prej kushërinjve të Gramoz Ruçit).
Ka dyshime të forta se Salarjon Totaj ka keqpërdorur emrin e Gramoz Ruçit edhe aferën korruptive në vitin 2013, ku si drejtor i Ujësjellësit në Fier i jepte tendera kompanisë Solomon Construction shpk të Enkli Spiropalit, vëllait të Elisa Spiropalit. Pra, kanë ndarë paratë publike brenda familjes. Skema e korrupsionit është e dokumentuar, ndonëse çuditërisht nuk ka një procedim penal.
Keqpërdorimi sistematik i emrit të Gramoz Ruçit nga bashkëshorti i Spiropalit Salarjon Totaj duket se ka indinjuar djalin e Gramoz Ruçit, Ledio Ruçin. Si rrjedhojë raportet mes Ledio Ruçit dhe Salarjon Totaj mësohet se kanë qenë konfliktuale. Madje sipas burimeve raporti mes Salarjon Totajt dhe Ledio Ruçi është përshkallëzuar deri në konflikt fizik, ku Ledio Ruçi besohet se ka rrahur disa muaj më parë Salarjon Totajn.
Në media konflikti është raportuar për shkak të mosmarrëveshjeve në biznesin e fotovoltaikëve dhe aksioneve të fshehura të Salarjon Totajn në emër të Ledio Ruçi. Por, disa burime të kryqëzuara konfimojnë se Ledio Ruçi e ka rrahur Salarjon Totaj pasi e ka paralajmëruar disa herë të mos përdorte më emrin e Gramoz Ruçit në pazaret e tij për përfitimin e parave dhe pronave publike.
Evidencat, aktiviteti përfitues dhe korruptiv i Elisa Spiropalit dhe Salarjon Totajt
Në shtator të vitit 2022, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj, themelon kompaninë S T Consulting, ndryshuar emrin në SALT, me objekt shit-blerje pronash një fushë që në raportet e SPAK-ut konsiderohet si më kryesorja për pastrimin e parave. Krahas biznesit privat, Totaj rezulton njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues të DPSHTRR me pagë rreth 9 mijë euro vit.


(Më herët, Totaj ka qenë drejtor i Ujësjellësit të Fierit, ku i ka dhënë tendera kunatit (vëllait të Spiropalit), por rezulton edhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë shtetërore të gazit Albgaz si dhe drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Operatorin e Sistemit të Transmetimit OST). Ndërkaq, në vitin 2023, bashkëshorti i zonjës Spiropali deklaron rreth 40 mijë euro të ardhura nga aktiviteti i kompanisë SALT shpk.

Në gusht të vitit 2013, disa muaj pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare, vëllai i Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali themeloi në Fier kompaninë Solomon Construction, me objekt import-eksport e tregtimin me shumicë e pakice të artikujve të ndryshem industriale. Në prill 2015, Enkli Spiropali ia shet kompaninë Marjus Memushajt, i cili është kushëriri i Salarjon Totajt.

Gjatë kohës kur kompania ishte në pronësi të vëllait të Spiropalit dhe pas kalimit formal në emrin e Marjus Memushajt, rezulton ka përfituar para publike nga Ujësjellësi i Fierit kur drejtohej nga Salarjon Totaj. Në 27 mars 2014, bashkëshorti në atë kohë jo zyrtar i Spiropalit Salarjon Totaj i jep një tender me vlerë 66 mijë euro vëllait të Spiropalit Enkli Spiropali.

Në një reagim në Facebook, në shkurt të vitit 2019, zonja Spiropali tha se vëllai i saj nuk kishte përfituar fonde publike, duke mohuar evidencat dhe faktet që tregonin përfitimin në konflikt interesi, madje në formë korruptive. Nga vitit 2014 deri në 2016, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë 350 mijë euro tendera kompanisë së vëllait të Spiropalit.

Në maj të vitit 2024, vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali vendos t’i futet një tjetër biznesi. Ai themelon kompaninë e taksive Blest Taxi bashkë me Klodjan Kalldani me kapital 100 mijë lekë. Administrator të kompanisë fillimisht caktojnë Besmir Metanin, i dyshuar si i përfshirë në biznesin kriminal të mashtrimit përmes call centrave. Spiropali dhe Kalldani e nisën biznesin me një flotë prej 5 taksish.


Ndërkaq, kompania Solomon Construction e themeluar nga vëllai i Spiropalit do të përfundonte në duart e kunatës së saj, Blerina Totaj. Në tetor 2021, Marjus Memushaj e shet kompaninë Solomon tek kompania Fortes Construction për 120 mijë euro. Duket si një shitje reale, por faktet tregojnë se bashkëshorti i Spiropalit po kalon kompaninë nga njëra dorë e besuar në tjetrën.

Kompania e projektimit dhe e ndërtimit Fortes Construction, e cila bleu kompaninë Solomon, është një tjetër linjë biznesi e bashkëshorit të Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj. Kompania e themeluar në vitin 2015, me zyra te Shopping
Center në Tiranë, është në emrin e dy kunatave të Elisa Spiropalit, Blerina dhe Luranda Totaj.

Kompania, e cila operon më shumë si nënkontraktore e firmave që përfitojnë para dhe koncensione publike, qarkullon çdo vit qindra mijëra euro. Blerina Totaj rezulton nyja e interesave të kamufluara të çiftit Elisa Spiropali dhe Salarjon Totaj. Përmes saj, çifit kontrollon kompaninë e ndërtimit Fortes Construction si dhe kompaninë import-eksport të artikujve të ndryshem industriale Solomon Construction.

Përmes kompanisë “Solomon Construction”, Totajt kanë siguruar edhe një kontratë qiraje 90-vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë për kultivim ullinjsh në sipërfaqe 19 hektarë në pronësi të shtetit në Patos. Dokumentat e Ministrisë së Bujqësisë thonë se “Solomon Construction” e ka marrë këtë sipërfaqe toke me qira për 90 vjet, me vlerë 465 mijë lekë të reja në vit ose rreth 40 mijë lekë të reja në muaj. Qëllimi i kontratës së qirasë është “kultivimi, prodhimi dhe tregtimi i ullirit për vaj dhe tavolinë”.

Krahas pronës publike, kompania Solomon Construction vijon të përfitojë edhe para publike, ndonëse në vlera modeste.
BIOFOOD’S është një tjetër kompani në pronësi të vjehrrit të Elisa Spiropalit, Luan Totaj. Kompania me objekt import eksport, tregtim me shumicë e pakicë brenda dhe jashtë vendit të fruta – perimeve, mallrave ushqimorë dhe idustrialë, ndodhet në Frakull e Madhe, Kilometri 2, Autostrada Levan – Tepelenë, një ambient që kushton dhjetëra mijëra euro.

Tre vjet pas themelimit, Luan Totaj ia ka shitur kompaninë shtetasit Beqir Ahmeti për 20 mijë euro. Interesat kryesore financiare të çiftit Totaj-Spiropali dyshohet se lidhen me studion e projektimit, supervizionit dhe kolaudimit ARKONSTUDIO. E themeluar vetëm një vit pas ardhjes së PS-së në pushtet, kompania ka përfituar dhjetëra milionë euro para publike, duke krijuar disa linja klintelizimit dhe me hije korrupsioni me institucione të pushtetit vendor dhe qendror.

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, kompania ARKONSTUDIO ka përfituar e vetme rreth 49 milionë euro para publike nga buxheti i shtetit.

Comments are closed.