Një situatë shqetësuese prej vitesh kishte kthyer jetën e banorëve të një pallati në Manëz të Durrësit, në ankth të përditshëm. Dy gra, nënë e bijë, të cilat vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, jetonin të vetme në katin e dytë të godinës, duke u kthyer sipas banorëve në rrezik serioz për komunitetin.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” kanë mbërritur disa video, ku shfaqen dy gratë teksa dalin në ballkon me sende të forta në duar dhe bërtasin në drejtim të kalimtarëve. Në një tjetër rast, njëra prej tyre shihet teksa hyn në një market dhe ofendon shitësen, duke e akuzuar se i ka vjedhur mallin.

Banorët e pallatit tregojnë se jetojnë prej kohësh në frikë. Njëri prej tyre shprehet se jeton një kat më poshtë, ndërsa djali i tij në të njëjtin kat me dy gratë. Sipas tij, ato kanë shkuar disa herë me thikë në dorë drejt banesës së djalit, madje edhe në një moment kur nusja e tij ishte shtatzënë.

Banorët shprehen se kanë kërkuar disa herë ndihmën e policisë, por pa rezultat konkret, duke bërë që situata të vijojë e njëjtë.

Pas ndërhyrjes së “Fiks Fare”, gazetarët iu drejtuan stacionit të policisë në Manëz. Shefi i stacionit vendosi që të ndërhyhej menjëherë, duke dërguar një autoambulancë për transportimin e dy grave drejt spitalit
Gjatë ndërhyrjes, vajza u has në rrugë dhe bëri rezistencë të fortë për të hipur në ambulancë, duke bërtitur dhe kundërshtuar, deri sa u shoqërua nga punonjëset e policisë. Ndërkohë, në banesë, nëna refuzoi të dilte, duke u transportuar me barelë.
Të dyja u dërguan në Spitalin Rajonal të Durrësit për vlerësimin fillestar mjekësor, me qëllim transferimin e mëtejshëm në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, ku edhe më parë kanë marrë trajtim.


Comments are closed.