Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas publikimit të një videoje nga gazetari Flamur Nezaj, ku pretendohet se të dënuar shfaqen duke festuar në qeli me alkool dhe telefona celularë.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, videoja ka qenë më herët në vëmendjen e tyre dhe dyshohet se është filmuar në qelitë e Burgut të Durrësit. Për këtë rast, ndaj zinxhirit komandues të institucionit kanë nisur verifikimet.
Po ashtu, në njoftim theksohet se personat e shfaqur në video janë identifikuar dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Ndërkohë, nënvizohet se kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Vetëm sot, në Burgun e Durrësit janë gjetur disa telefona celularë.
Deklarata e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Nezaj, sqarojmë si vijon:
Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.
Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Menjëherë pas qarkullimit të videos, është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel.
Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe nisjen e procedimeve penale për personat e përfshirë.
Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video. Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione.
Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar tre telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u vendosur në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale.
Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.

Comments are closed.