Teksa ka mbërritur më Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian, kryeministri Edi Rama ka marrë vesh lajmin për vdekjen e dy fëmijëve në Durrës.
Në një postim në platformën X, kreu i qeverisë shpreh keqardhjen për ngjarjen e rëndë, ndërsa i bashkohet lutjes për shërimin e fëmijës së tretë, i cili ndodhet në spitalin e Traumës. Mësohet se i mituri ndodhet në gjendje të rëndë. Të miturit ishin të gjithë të moshës 10 vjeçare.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital.”, shkruan Rama.
Nuk ka munguar reagimi i deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, për tragjedinë në Durrës, ku dy fëmijë 10-vjeçarë, humbën jetën nga përplasja me makinë, ndërsa një tjetër u plagos rëndë dhe ndodhet në spitalin e Traumës.
Për socialistin kjo ngjarje është vrasje me dashje dhe jo aksident. Ai shton se ngjarje të tilla duhet të trajtohen ligjërisht si vrasje me dashje, duke kërkuar dënime më të rënda për drejtuesit e automjeteve që shkaktojnë tragjedi të tilla.
Braçe i bën thirrje parlamentit të veprojë menjëherë për ndryshime ligjore, duke theksuar se shumica parlamentare i ka votat për ta bërë këtë. Ai propozon gjithashtu masa konkrete për sigurinë rrugore:
“Durrës / lagjet e ish kënetës.
Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë,
Sot, ditën e diel!
U vra sepse vrasja është!
Madje vrasje me dashje!
Nuk është aksident, por vrasje me dashje!
Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë;
Këto pamje!
E di, e rëndë është;
Por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegët e mi deputetë të çdo ane, për t’u bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është: vrasjeeeeeeeee!
Dhe duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë!
Siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dyshe dhe që, edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kush!
Ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri, por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë!
Mbase vetëm duke ndëshkuar kështu — si për vrasje me dashje në rrugë — mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë!
Ndërkohë, kjo ngjarje më në fund të na shtyjë të mendojmë e veprojmë për urbanizim edhe më të thellë, përfshirë rrugë që e disfavorizojnë shpejtësinë në to, ndalime të shpejtësisë së makinave brenda lagjeve e jo vetëm tabela që një takëm i pështyjnë, mbylljen e rrugëve për t’u dhënë mundësi fëmijëve e të moshuarve të luajnë e të lëvizin, të pushojnë të sigurt, ndërtimin me çdo cmim të fushave e këndeve të sigurta për fëmijët e të moshuarit!
I kemi votat për t’i bërë këto; i kemi me shumicë!
Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani”, shkruan Braçe.

Comments are closed.