Shpërthimi i “Hantavirusit” ka rikthyer frikën se bota mund të përballet me një tjetër pandemi, pas asaj të COVID-19. Hantaviruset janë viruse që transmetohen kryesisht nga brejtësit, përmes urinës, feçeve dhe pështymës së tyre.
Në një intervistë për A2 CNN, mjekja Aurora Meta Dollenberg ka ngritur alarmin se ky virus mund të jetë i pranishëm edhe në Tiranë, sidomos në zonat me mungesë higjiene.
“Virusi jeton sidomos tek minjtë. Prandaj është më i përhapur zakonisht në zona si Tirana, në vendet e ndotura ku kemi mungesë higjiene dhe ku minjtë kanë dominim të theksuar. Prandaj edhe hantavirusi ka qenë kryefjala tek anija, e cila kishte qenë e izoluar në hambarët e drithërave, ku minjtë kishin marrë kontrollin. Kjo bëri që të kishim transmetim të virusit përmes pështymës, feçeve dhe ushqimit të pagatuar mirë, duke infektuar pasagjerët”, tha ajo.
Sipas mjekes, fakti që në Tiranë ka zona të painspektuara mirë dhe me prani të minjve, nënkupton automatikisht edhe praninë e hantavirusit të ashtuquajtur evropian.
“Po, ekziston edhe në Tiranë. Nuk mund ta heqim plotësisht kujdesin, sepse hantavirusi është një ‘banor’ i zakonshëm tek minjtë. Për sa kohë që Tirana ka zona kanalizimesh jo mirë të inspektuara dhe me prani minjsh, kemi automatikisht edhe hantavirusin e ashtuquajtur evropian. Ekzistojnë dy tipe të caktuara: Dobrova, që gjendet në Kroaci dhe Serbi, si dhe Puumala, e cila është zbuluar në Gjermani dhe në Europën Veriore”, tha ajo.
Më tej, Dollenberg theksoi se nuk kemi të bëjmë me një virus që paraqet rrezik të lartë për përhapje në popullatë.
“Dua të heq çdo lloj frike dhe ndjenje alarmi në lidhje me hantavirusin, sepse nuk është diçka e re dhe nuk është një virus i rrezikshëm që ka mundësi të përhapet gjerësisht në popullatë. Mundësia për një pandemi është pothuajse zero dhe Shqipëria nuk është më e rrezikuar sesa vendet e tjera evropiane”, shtoi mjekja.

Comments are closed.