Lulëzim Tabaku rezulton sipas Policisë së Sarandës, se është personi që ka qëlluar për vdekje me armë zjarri biznesmenin Rexhep Ismaili. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në lokalin dhe karburantin në pronësi të viktimës 66 vjeçar.
Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e personave të pranishëm dhe ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë, sipas të cilave ka rezultuar se Lulëzim Tabaku, Rexhep Ismaili dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar janë përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe pastaj me armë.
“Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit Rexhep Ismaili, gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi Rexhep Ismaili, 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi Lulëzim Tabaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Rexhep Ismaili dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur”, njofton Policia.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt. Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 përpara karburantit “Vëllezërit Ismaili”, në kryqëzimin apo rrethrrotullimin e Gjashtës (vendasit e njohin zonën edhe si Qafa e Gjashtës për shkak të terrenti dhe rrugës automobilistike që përshkon kodrën).
Fatkeqësisht, plumbi rezultuar fatal dhe biznesmeni e kryetari i degës lokale të Shoqatës Patriotike “Çamëria” ka ndërruar jetë në vendngjarje. Familjarë dhe banorë të zonës janë tronditur nga ngjarja dhe po japin dëshmi për të ndihmuar në hetime.

Comments are closed.