Skip to content

Besarb Blakaj – Koka që po tenton t’i shpëtojë prangave: Kush po e mbron arkitektin e aferës milionëshe në BKS?

Në kohën kur Byroja Kosovare e Sigurimeve drejtohej nga Sami Mazreku dhe Valon Berisha — sot të arrestuar për aferën milionëshe që tronditi sektorin e sigurimeve — një nga figurat kyçe mbi strukturën vendimmarrëse ishte edhe Besarb Blakaj, kryetar i Këshillit Administrativ.

Por përgjegjësia nuk mund të reduktohet vetëm tek disa individë të arrestuar. Për vite të tëra, vendimet në BKS janë kaluar përmes organeve kolektive: Këshillit Administrativ, Asamblesë së Anëtarëve dhe drejtuesve të kompanive të sigurimeve që sot heshtin sikur nuk kanë ditur asgjë.

Sot, ndërsa Besarb Blakaj mundohet të paraqitet si “denoncues” i skemave kriminale, pyetja që shtrohet publikisht është:

A po tenton Besarb Blakaj të shpëtojë veten nga përgjegjësia penale duke sakrifikuar të tjerët?

Dhe pyetja edhe më e rëndë:

A blihet pafajësia duke i spiunuar shokët që deri dje ishin njerëzit më besnikë të Besarb Blakajt?

Sepse për vite të tëra, sipas perceptimit publik dhe raportimeve që qarkullojnë në industrinë e sigurimeve, shumë prej atyre që sot po përmenden si “përgjegjës” kanë qenë pjesë e rrethit të afërt të strukturës që drejtonte BKS-në. Sot, kur hetimet dhe arrestimet kanë filluar të godasin majat e sistemit, po krijohet përshtypja se disa po tentojnë të shpëtojnë veten duke orientuar gishtin vetëm tek të tjerët.

Si është e mundur që kryetari i organit më të lartë mbikëqyrës të mos ketë ditur për transferet milionëshe, pagesat e dyshimta dhe skemat financiare që zhvilloheshin për vite të tëra?

Dhe pyetja tjetër:
Ku ishin anëtarët e tjerë të Këshillit Administrativ, Asamblesë dhe drejtorët e kompanive të sigurimeve kur miliona euro qarkullonin përmes skemave që sot po hetohen?

Publiku pret përgjigje:

•⁠ ⁠Kush përfitoi realisht nga fondet e nxjerra jashtë procedurave?
•⁠ ⁠Sa para përfunduan tek zyrtarët dhe njerëzit e afërt me strukturat drejtuese?
•⁠ ⁠Cili ishte roli i secilit anëtar të organeve vendimmarrëse?
•⁠ ⁠A janë verifikuar transfertat bankare dhe llogaritë private të zyrtarëve e punonjësve?
•⁠ ⁠Pse disa emra vazhdojnë të jenë të paprekshëm?
•⁠ ⁠Kush po i mbron ende nga hetimi i plotë?

Në çdo shtet serioz, kryetari i Këshillit Administrativ, anëtarët e Asamblesë dhe drejtuesit e kompanive nuk mund të pretendojnë pafajësi absolute kur nën mbikëqyrjen e tyre ndodhin skandale që përfundojnë me arrestime dhe dëme milionëshe.

Për më tepër, sot disa nga këta persona vazhdojnë të jenë në pozita ndikimi apo të favorizohen përmes vendimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, duke krijuar përshtypjen e një sistemi të mbrojtjes politike dhe institucionale.

Emra si Rexhep Idrizaj dhe struktura të lidhura me KS Elsig përmenden vazhdimisht në debatet publike për ndikimin dhe rolin e tyre në proceset vendimmarrëse të industrisë së sigurimeve. Pikërisht për këtë arsye, transparenca dhe hetimi i plotë janë domosdoshmëri publike.

Sipas informatave që posedon redaksia jonë, tensionet dhe presionet brenda sektorit janë rritur ndjeshëm pas zhvillimeve të fundit, ndërsa ekziston frikë serioze se përplasjet dhe lufta për shpëtim individual mund të prodhojnë pasoja të rënda.

Për këtë arsye, i bëjmë thirrje autoriteteve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të zbardhin plotësisht këtë aferë, para se situata të dalë jashtë kontrollit apo të ndodhë ndonjë tragjedi mes personave të përfshirë.

Sepse kur miliona euro zhduken, kur njerëzit ndihen të tradhtuar, të përdorur apo të sakrifikuar për të shpëtuar të tjerët, pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

Dhe deri atëherë, një gjë mbetet e qartë në sytë e opinionit publik:

Shkatërrimi i industrisë së sigurimeve në Kosovë do të mbetet në ndërgjegjen e Besarb Blakajt dhe gjithë strukturës që lejoi degradimin e saj për vite me radhë.

Heshtja institucionale po ngre edhe një pyetje tjetër të rëndë:

Pse Banka Qendrore e Kosovës dhe Guvernatori Ahmet Ismaili nuk po kërkojnë përgjegjësi të plotë nga të gjithë akterët e përfshirë në menaxhimin e asaj periudhe?

Sektori i sigurimeve nuk mund të pastrohet duke arrestuar vetëm disa individë, ndërsa të tjerët vazhdojnë të mbijetojnë politikisht e financiarisht, duke u paraqitur madje si “shpëtimtarë” të sistemit.

Koha e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund.

Published inBank

Comments are closed.