Luan Pirdeni, babai i ministres Adea Pirdeni dhe profesor i hershëm i Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, ka ndërruar jetë pasditen e kësaj të enjte. Ai është përplasur nga një motomjet teksa ecte me biçikletë te “Rruga Bardhyl”.
Siç shihet dhe nga këto pamje nga vendngjarja, aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 të mesditës dhe deri pasdite vonë, Luan Pirdeni ka qenë nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.
Profesor Luan Pirdeni ka marrë dëmtime në trup si pasojë e përplasjes së fortë dhe pavarësisht kujdesit mjekësor, ka mbyllur sytë në moshën 87 vjeçare. Shërbimet e Policisë së Tiranës kanë arrestuar drejtuesin e motomjetit, 31 vjeçarin Sejdi Milla.
Ai ka qëndruar në vendngjarje, bashkë me shumë qytetarë të pranishëm të cilët kanë njoftuar ambulancën dhe janë përpjekur të japin ndihmën e parë.
“Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, thuhet në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.


Comments are closed.