Operacioni është në vijim të atij të nisur të enjten, ku janë arrestuar 8 persona, që po kryenin ndërtime pa leje pranë vijës bregdetare, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e tokës ku po kryheshin punimet…
Agjencia e Mbikqyrjes Policore arrestoi mbrëmjen e së premtes shefin e Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, ndërkohë shpalli në kërkim shefin e Krimeve, Andi Duro.
Arrestimi u krye në kuadër të një operacioni që AMP ka nisur prej mesditës së sotme në jug të vendit, pas informacioneve se zyrtarë të policisë vendore janë të përfshirë në lejimin e ndërtimeve pa leje.
Ndërkohë që operacioni vijon, raportohet se AMP ka zbuluar skemën se si zyrtarët e policisë kanë lejuar ndërtime pa leje në territoret që mbulojnë, apo kanë favorizuar individë të caktuar, për të ndërtuar në kundërshtim me lejet e dhëna, ose pa leje, në vijën bregdetare.
AMP po heton zyrtarët për shpërdorim detyre, por jo vetëm, pasi ka dyshime për përfitime të paligjshme financiare, duke ‘mbyllur’ sytë kundrejt ndërtimeve.
Komisar Gëzim Bashllari është emëruar si drejtues i Policisë së Sarandës në dhjetor të 2024-ës.
Më herët u raportua arrestimi edhe i dy specialistëve të policisë, pasi ka rezultuar si të përfshirë në ‘skemën’ e lejimit të ndërtimeve pa leje dhe tolerimit të tyre në zonën bregdetare.
Nga raportimet mësohet se AMP po vijon operacionin, ndërsa thuhet se në ‘listë’ janë edhe të tjerë zyrtarë, që dyshohet se kanë shkelur ligjin.
Operacioni është në vijim të atij të nisur të enjten, ku janë arrestuar 8 persona, që po kryenin ndërtime pa leje pranë vijës bregdetare, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e tokës ku po kryheshin punimet.
Të arrestuarit janë identifikuar si Ylli Daci, 33 vjeç, Emiljano Sotiri, 41 vjeç, Kleanth Rakipi, 25 vjeç, Bilbil Rexho, 48 vjeç, Enkeiled Rrëza, 41 vjeç, Oriant Cako, 32 vjeç, Oltion Bushaj, 47 vjeç, Erjon Kovaçi 42 vjeç dhe pronarja Arjola Dhrami (Bajo), 42 vjeçe.
“Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve në terren, me prioritet zonat bregdetare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre, në ujë) në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, kryheshin punime ndërtimi, të paligjshme.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit:
K. R., 25 vjeç, E. S., 41 vjeç dhe O. C., 32 vjeç, të tre banues në Sarandë;
B. R., 48 vjeç, banues në Delvinë;
E. R., 41 vjeç, banues në Lushnjë;
O. B., 47 vjeç, banues në Tiranë;
E. K., 42 vjeç, banues në Lezhë;
Y. D., 33 vjeç, banues në Mat.
Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasja që posedon hapësirën e plazhit, A. B.., për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet. Punohet për kapjen e kësaj shtetaseje.
Shërbimet e Policisë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, kanë njoftuar shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat aktualisht po vijojnë me prishjen e ndërtimeve.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi një ditë më parë policia.

Comments are closed.