Pasi u arrestua disa ditë më parë, është bërë publike fotoja e vrasësit të trefishtë Sokol Hoxha, i cili po përballet me një proces ekstradimi në SHBA, pasi kërkohet nga Shqipëria dhe Belgjika për tre vrasje.
Fotoja e Sokol Hoxhës, e publikuar nga Top Channel, është realizuar pak momente pas ndalimit të tij nga US Marshals, më 5 maj, në shtetin e Ohajos.
Copyright photo: Top Channel

Arrestimi i Hoxhës
Sipas agjencive federale amerikane, arrestimi i Hoxhës u krye më 5 maj 2026 në Ohajo, nga Ekipi për Kapjen e të Arratisurve i Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, në bashkëpunim me agjentët e emigracionit dhe strukturat ndërkombëtare të INTERPOL-it. Ai u vu në pranga për shkelje të ligjeve të emigracionit, ndërsa rezultonte prej vitesh në kërkim ndërkombëtar për disa vrasje të rënda të kryera në Shqipëri dhe Belgjikë.
51-vjeçari shqiptar ishte subjekt i një “Red Notice” të INTERPOL-it, të lëshuar nga autoritetet belge për dënimin në mungesë lidhur me vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Bruksel, në gusht të vitit 1997. Paralelisht, autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, krim i ndodhur në mars të po atij viti. Për këto ngjarje, Hoxha ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg nga drejtësia shqiptare.
Burime hetimore bëjnë me dije se pas krimeve të kryera në Shqipëri, Hoxha u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Belgjikë, ku dyshohet se u përfshi në rrjete prostitucioni. Pikërisht aty ndodhi edhe vrasja e Brunilda Dervishit, një ngjarje që sipas hetimeve lidhej me konfliktet mes tyre dhe kundërshtimin e së resë për t’u shfrytëzuar nga Hoxha. Gruaja u ekzekutua në një lokal në Bruksel, ndërsa autori u zhduk menjëherë pas krimit.
Hetimet shumëvjeçare zbuluan se i shumëkërkuari kishte ndërtuar një identitet të ri për t’i shpëtuar drejtësisë. Fillimisht ai dyshohet se përdori dokumente të falsifikuara kosovare për të përfituar leje qëndrimi në Britaninë e Madhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Më pas, për t’iu shmangur identifikimit, u transferua në SHBA, ku arriti të siguronte status rezidenti të përhershëm duke fshehur identitetin e tij real.
Sipas autoriteteve amerikane, hetimi për lokalizimin dhe identifikimin e Hoxhës zgjati gjashtë vite dhe u drejtua nga INTERPOL Ëashington, në koordinim me një sërë agjencish ligjzbatuese në SHBA, Belgjikë, Britani dhe Shqipëri. Hetuesit arritën të konfirmonin identitetin e tij përmes gjurmëve të gishtërinjve, fotografive të vjetra dhe dokumenteve të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë.
Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë në Shqipëri kishte depozituar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e tij drejt SHBA-së, ndërsa hetimet u intensifikuan në vitet pasuese. Në një moment, autoritetet britanike ndaluan gabimisht një person tjetër me të njëjtin emër, por pas verifikimeve të INTERPOL-it rezultoi se nuk bëhej fjalë për të shumëkërkuarin.
Autoritetet amerikane po shqyrtojnë tashmë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë ose Belgjikës, ku pritet të përballet me drejtësinë për akuzat dhe dënimet e dhëna ndaj tij.

Comments are closed.