Autoritetet franceze kanë arrestuar një 16-vjeçar lidhur me vdekjen tragjike të një djali 12-vjeçar, i cili u gjet pa shenja jete në qytetin Rennes.
Sipas prokurorisë, adoleshenti ndodhet në paraburgim ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Trupi i 12-vjeçarit u zbulua të dielën pasdite pranë lumit Vilaine, pasi një peshkatar dëgjoi të qara dhe njoftoi menjëherë policinë. Forcat e rendit mbërritën në vendngjarje dhe e gjetën fëmijën të pajetë mes shkurreve.
Sipas informacioneve nga hetimi, një peshqir i lagur ishte lidhur rreth qafës së të miturit, ndërsa ekipet mjekësore nuk mundën ta shpëtonin.
Banorët e zonës janë shprehur të tronditur nga ngjarja, duke theksuar se lagjja konsiderohet e qetë dhe e frekuentuar nga familjarë, këmbësorë dhe vrapues.
“Është një tronditje e vërtetë. Nuk do ta kishim imagjinuar kurrë që një krim i tillë mund të ndodhte këtu”, tha një banor për AFP.
Sipas medias franceze Ouest-France, prindërit e 12-vjeçarit po marrin mbështetje psikologjike, ndërsa çështja po hetohet nga departamenti special për krimet e rënda në Rennes.

Comments are closed.