Skip to content

Nami në vend! Megaoperacion i policisë, lëshohen urdhër-arreste për policë, zyrtarë shteti dhe milionerë!

Prokuroria e Sarandës ka lëshuar 12 masa sigurie ndaj policëve, zyrtarëve lokalë dhe biznesmenëve, në kuadër të një hetimi për ndërtime pa leje dhe shpërdorim detyre në Sarandë dhe Ksamil…

Një operacion i madh është duke u zhvilluar në Sarandë dhe Ksamil. Prokuroria e Sarandës ka lëshuar 12 masa sigurie ndaj efektivëve të policisë, zyrtarëve lokalë dhe biznesmenëve të dyshuar për përfshirje në skema të ndërtimeve pa leje dhe shpërdorim detyre.

Sipas informacioneve, mes personave ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie ndodhet edhe kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, Eduart Veliu.

Operacioni po zhvillohet nga strukturat e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në disa banesa dhe ambiente biznesi në Sarandë dhe Ksamil.

Ndërkohë, është arrestuar Kristofor Shkrepa, specialist policie në Ksamil, ndërsa ndaj Kastriot Satkës është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në fokus të dosjes janë dyshimet për favorizim të ndërtimeve pa leje në zonat turistike të jugut dhe mosveprim nga strukturat përgjegjëse.

Masë sigurie është vendosur gjithashtu edhe për biznesmenët Arjola Dhrami dhe Xhaferr Bajo. Sipas hetimeve paraprake, emrat e tyre lidhen me një objekt ndërtimi për të cilin më herët u arrestuan katër oficerë të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe ish-shefi i Policisë së Sarandës.

Në dosje përfshihet edhe ndërtuesi Merdar Koshi, i cili dyshohet se ka ndërtuar dy kate pa leje në qendër të qytetit të Sarandës. Hetuesit po verifikojnë nëse ndërtimet janë toleruar apo favorizuar nga zyrtarë dhe punonjës institucionesh përgjegjëse për kontrollin e territorit.

Hetimi është ngritur mbi dyshime për shpërdorim detyre, lejim të ndërtimeve të paligjshme, moskallëzim dhe bashkëpunim mes zyrtarëve publikë dhe subjekteve private që operojnë në zonën bregdetare.

Saranda dhe Ksamili prej vitesh janë kthyer në një nga zonat me zhvillimin më intensiv urban dhe turistik në vend, ndërsa paralelisht autoritetet kanë evidentuar raste të shumta të ndërtimeve pa leje apo tejkalimeve të lejeve ekzistuese.

Operacioni vijon ende, ndërsa pritet që në orët në vijim Prokuroria e Sarandës dhe Policia e Shtetit të japin një njoftim zyrtar mbi akuzat konkrete dhe numrin e plotë të personave të përfshirë në hetim.

Published inCredit Cards

Comments are closed.