Vuri bast me shokët, 16-vjeçari ne Gjirokaster hidhet nga kati i dytë i gjimnazit! Ja sa leke dhe cfare e gjeti

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në gjimnazin “Siri Shapllo” në qytetin e Gjirokastrës, ku një nxënës 16-vjeçar, identifikuar me inicialet A.M., është hedhur nga kati i dytë i shkollës, duke pësuar dëmtime serioze në këmbë.

Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore e Gjirokastrës, ngjarja nuk ka qenë tentativë vetëvrasjeje, por një akt i nxitur nga një bast mes shokëve të klasës. Tre prej bashkëmoshatarëve të tij kanë deklaruar në polici se nxënësi u hodh për një bast prej 10 mijë lekësh të vjetra, duke sfiduar shokët nëse ishte apo jo në gjendje të kërcente nga dritarja.

Pas rënies në tokë, i riu ka thyer kyçin e këmbës dhe është dërguar menjëherë për trajtim në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton rrethanat e plota të incidentit.

Ngjarja vjen në një kontekst të rënduar emocional në këtë shkollë, pasi në tre muajt e fundit dy nxënës të tjerë, Irsa Muçollari dhe Veip Peçi, kanë humbur jetën në rrethana ende të pazbardhura nga autoritetet.

Ekspertët dhe komuniteti lokal shprehin shqetësim të thellë për gjendjen psikologjike të të rinjve dhe mungesën e mekanizmave mbështetës brenda shkollave. Ata kërkojnë një ndërhyrje urgjente institucionale për të forcuar shërbimet psiko-sociale në shkolla dhe për të hetuar më thellë klimën e brendshme në institucionin arsimor.