Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve u regjistrua pasditen e kësaj të diele në Rrugën e Arbrit, në vendin e njohur si “Plani i Bardhë”.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident u përfshinë dy automjete të cilat u përplasën me njëra-tjetrën. Mësohet se personat që ndodheshin në mjetet e përfshira në ngjarje po ktheheshin nga një ceremoni mortore në momentin kur ndodhi përplasja fatale.
Si pasojë e goditjes së fortë, fatkeqësisht humbi jetën 55-vjeçari Halil Gashi, i cili po udhëtonte si pasagjer në automjetin tip “Hyundai” me ngjyrë të bardhë, i cili drejtohej nga shtetasi Sajmir Cecja.
Nga përplasja kanë mbetur të plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, Xhoni Sallaku dhe Cecja, si edhe dy pasagjerë të tjerë. Të lënduarit janë transportuar fillimisht drejt spitaleve më të afërta për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas një pjesë e tyre janë dërguar për trajtim më të specializuar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Burime nga grupet e emergjencës bëjnë me dije se aktualisht në Spitalin e Traumës po marrin trajtim tre persona të plagosur nga aksidenti, mes tyre njëri prej drejtuesve të mjeteve dhe dy pasagjerë. Mjekët po monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi shkallën e dëmtimeve që kanë pësuar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe ekipet e emergjencës, të cilat punuan për nxjerrjen e personave nga automjetet dhe normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor. Hetuesit po kryejnë veprimet procedurale për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e saktë të aksidentit që i mori jetën 55-vjeçarit Halil Gjashi.

Comments are closed.