Skip to content

Banori befason shqiptarët: Dua që resorti të ndërtohet, ja kush është halli im i vërtetë

Eduart Subashi, banori i fshatit Zvërnec i cili mesditën e së shtunës u dhunua nga rojet private teksa ishte duke protestuar kundër ndërtimit të resortit, ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka theksuar se ai është dakord me investimet në këtë zonë.

Për Top Neës, Subashi ka bërë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e mirë, ndërsa është shprehur i hapur për të biseduar me qeverinë dhe institucionet përkatëse lidhur me situatën e krijuar. Sipas Subashit, si ai ashtu edhe banorë të tjerë disponojnë certifikata pronësie të ndara sipas ligjit 7501.

“Jam më mirë sot, mund të them. Unë u godita në gurmaz nga një punonjës i policisë private, siç e keni parë edhe në videot në rrjetet sociale. Zëri akoma nuk më ka ardhur tamam, por në përgjithësi shëndeti im është normalizuar”, tha ai, teksa më tej sqaroi se kundërshtimi i tij dhe i banorëve nuk lidhet me investimin në vetvete, por me çështjen e pronësisë, duke kërkuar që të drejtat e tyre të njihen dhe të respektohen përpara se projekti të vijojë.

“Zgjidhja për ne është të marrim tokën tonë dhe nga andej e tutje jemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi me qeverinë. Nuk kam asnjë kundërshtim për këtë”, deklaroi ai ndër të tjera, duke theksuar kështu se është i gatshëm që të dialogojë me institucionet shtetërore dhe investitorët për të gjetur një zgjidhje.

“Isha thjesht duke pyetur pse ishte vënë ai gardh atje dhe pse është mbyllur rruga e fshatit ku ne vijmë. Unë jam banor i Zvërnecit. Unë jam qytetar shqiptar dhe grek. Aty nuk kam ardhur i dërguar nga dikush.

Kam ardhur sepse kam tapinë e tokës sime që në 1991. Po jam përfitues me 5701, një tokë e stërgjyshit tim. Kur u vu ai gardhi i Palestinës? Sepse atë më kujton kur shoh gjëra në TV. Nuk jemi informuar nga askush për projektin.

Kur u vu gardhi rrethues, e mora vesh. Të gjithë banorët kanë pronësinë e tyre, me dokumenta. Unë di që kam tokën time atje, të gjithë bashkëfshatarët e mi kanë toka atje. Mund të jenë rreth 300 banorë të tjerë. Nuk ka zgjidhje askund.

Kudo që përplasemi, thonë nuk ka dalë ligji, e kemi tokën në përdorim. Nuk na japin dokumente në Zvërnec, nuk del nga asnjë zyrë. Pasi më qëlluan, atëherë policia u fut dhe më tërhoqi pas”, u shpreh Eduart Subashi. /TCH

Published inBank

Comments are closed.