Nga Shqipëria në Teheran, protestat bëhen temë në konferencën e Ministrisë së Jashtme iraniane…
Debati i ndezur që ka shoqëruar ditët e fundit protestat në Shqipëri ka mbërritur deri në Teheran.
Gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Jashtme iraniane, një gazetare i kërkoi zëdhënësit Esmail Baghaei të komentonte deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ka akuzuar Iranin për përhapje të dezinformimit lidhur me çështjen që ka nxitur reagime në vend.
Në përgjigjen e tij, Baghaei zgjodhi fillimisht ironinë.
“Iranin e kanë akuzuar? Ndoshta do të thonë se edhe flamingot ishin agjentë të sigurisë iraniane”, tha ai.
Zëdhënësi iranian i cilësoi më pas akuzat ndaj Teheranit si një praktikë të përsëritur nga qeveri që, sipas tij, kërkojnë të forcojnë marrëdhëniet me Izraelin.
“Këto akuza kundër Iranit janë një model stereotipik. Çdo qeveri që në një mënyrë apo tjetër dëshiron të afrohet me regjimin sionist, për t’i bërë qejfin atij, ngre akuza ndaj Iranit”, deklaroi Baghaei.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë e kuptojnë arsyen e këtyre deklaratave dhe i konsideroi ato si një përpjekje për të shmangur debatin e brendshëm.
“Por sigurisht që populli shqiptar ka një nivel të lartë mirëkuptimi dhe e di se këto lloj fushimesh bëhen vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë përpara qytetarëve të këtij vendi, në lidhje me veprime që natyrshëm konsiderohen nga shqiptarët si shitje e sovranitetit dhe dinjitetit të vendit të tyre”, u shpreh ai.
Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se Irani është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativa të rreme në rrjetet sociale.
“Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Por nuk ka nevojë të reagojë Irani për të konfirmuar se mijëra shqiptarë janë ngritur në këmbë nga padrejtësi, na korrupsioni, nga vjedhja e kësaj kaste politike. Zvërneci ishte thjesht shkëndija, por tani me mijëra të rinj dhe të reja janë në shesh për të ardhmen e tyre, janë kudër Ramës, janë kundër Berishës dhe gjithë të korruptuarve. Pra fakti që kjo protestë sot është në ditën e 9 tregon se ajo që i shtyn është vetëm zemërimi. /Pamfleti

Comments are closed.