Skip to content

Non Grata nuk është hequr por…! Departamenti i Shtetit i përgjigjet Top Channel: Për një interes madhor kemi vendosur ta

Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar për Top Channel deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, sipas të cilit atij i është hequr “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përgjigjen zyrtare, DASH nuk përdor formulimin “anulim”, “revokim” apo “heqje” të përcaktimit fillestar, por flet për dhënie përjashtimesh, të njohura në terminologjinë amerikane si waivers, për disa raste të vendosura më parë sipas nenit 7031(c).

“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për disa përcaktime sipas nenit 7031(c)”, thuhet në reagimin e DASH, duke shtuar se këto përjashtime janë dhënë pasi “i shërbejnë një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara”.

Ky formulim është i rëndësishëm, pasi teknikisht një waiver nuk është e njëjta gjë me rrëzimin e plotë të vendimit fillestar. Sipas rregullave amerikane për nenin 7031(c), Sekretari i Shtetit mund të lejojë përjashtim nga ndalimi i hyrjes në SHBA nëse vlerëson se një gjë e tillë i shërben një interesi kombëtar bindës, ose nëse rrethanat që sollën përcaktimin kanë ndryshuar në mënyrë të mjaftueshme.

Berisha u shpall publikisht i padëshiruar nga SHBA në maj të vitit 2021 nga ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, me arsyetimin e përfshirjes në korrupsion të rëndësishëm gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Vendimi përfshinte edhe familjarët e tij të afërt.

Pas zhvillimeve të fundit, Berisha ka deklaruar se “u kthye” dhe se nuk ka qenë kurrë “non grata”, por ka pasur vetëm një sanksion vizash. Në reagimin e tij publik, kreu i PD-së e paraqiti zhvillimin si mbyllje të një kapitulli politik dhe si rrëzim të një padrejtësie ndaj tij.

Megjithatë, përgjigjja e DASH lë të kuptohet se bëhet fjalë për një vendim të natyrës procedurale dhe diplomatike, jo domosdoshmërisht për tërheqje të plotë të akuzave apo për anulim formal të përcaktimit të vitit 2021. Në gjuhën juridike amerikane, dallimi mes “revokimit” të një përcaktimi dhe “waiver”-it është thelbësor: i pari nënkupton heqje të aktit, ndërsa i dyti mund të lejojë përjashtim nga zbatimi i ndalimit, për arsye të interesit kombëtar.

Ky sqarim pritet të ndezë sërish debat politik në Tiranë, pasi opozita mund ta interpretojë si fitore politike për Berishën, ndërsa kundërshtarët e tij pritet të theksojnë se DASH nuk ka deklaruar publikisht anulimin e vendimit fillestar.

Në thelb, mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është i kujdesshëm: SHBA ka dhënë përjashtime për disa përcaktime të mëparshme sipas nenit 7031(c), por nuk ka përdorur gjuhën e një rehabilitimi të plotë politik apo juridik.

Published inBank

Comments are closed.