Marjana Koçeku, deputete e pavarur dhe ish-anëtare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka dhënë një intervistë për median britanike Britannia Daily, ku ka folur për arsyet e largimit të saj nga mazhoranca, protestat qytetare dhe krizën politike në Shqipëri.
Në një nga deklaratat më të forta që prej shkëputjes nga PS, Koçeku shprehet se qeveria e Edi Ramës nuk është më në gjendje të sjellë ndryshimin që kërkojnë shqiptarët, ndërsa protestat i cilëson si shprehje të humbjes së besimit të qytetarëve te institucionet dhe politika.
Një nga deputetet më të reja të Kuvendit, Koçeku thotë se vendimi për t’u larguar nga Partia Socialiste erdhi pas zhgënjimit me mënyrën se si funksionon pushteti dhe me mungesën e llogaridhënies. Ajo thekson se protestat masive vetëm sa e përforcuan bindjen se Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike dhe për një brez të ri drejtuesish.
Në intervistën për Britannia Daily, Koçeku shprehet se parlamenti, në shumë raste, nuk funksionon si një institucion ku debatohen dhe shqyrtohen vendimet, por si një mekanizëm që miraton automatikisht qëndrimet e partisë.
“Një nga përgjegjësitë themelore të një deputeti është të ushtrojë gjykim të pavarur në emër të qytetarëve që e kanë zgjedhur. Megjithatë, në praktikë, disiplina partiake shpesh vendoset mbi interesin publik”, deklaron ajo.
“Protestat e përforcuan vendimin tim”
Koçeku thekson se protestat nuk ishin arsyeja kryesore e largimit të saj nga Partia Socialiste, por ato e bindën edhe më shumë se kishte marrë vendimin e duhur.
“Protestat kanë qenë ndër lëvizjet qytetare më frymëzuese që kam parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë gjatë viteve të fundit. Kur dhjetëra mijëra qytetarë dalin paqësisht për të kërkuar llogaridhënie dhe ndryshim demokratik, përfaqësuesit e zgjedhur kanë detyrimin t’i dëgjojnë.”
Sipas saj, shqetësimet e protestuesve për korrupsionin, mungesën e transparencës, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e kostos së jetesës janë të njëjtat arsye që e shtynë të vinte në pikëpyetje drejtimin ku po shkon vendi.
“E shoh këtë lëvizje si një shenjë shprese dhe jo dëshpërimi. Ajo tregon se qytetarët nuk kanë hequr dorë nga demokracia, por kërkojnë që ajo të funksionojë.”
“Është vetëm çështje kohe”
Në një tjetër deklaratë me peshë politike, Koçeku shprehet se edhe brenda mazhorancës ka deputetë dhe zyrtarë që nuk ndihen më rehat me drejtimin aktual të qeverisjes.
“Nga bisedat dhe vëzhgimet e mia besoj se ka një shqetësim në rritje brenda establishmentit politik. Jo të gjithë ndihen rehat me drejtimin aktual, edhe pse shumë nuk guxojnë ta thonë publikisht.”
Ajo shton se është “vetëm çështje kohe” derisa më shumë politikanë të flasin hapur dhe të veprojnë sipas bindjeve të tyre.
“Kjo qeveri nuk mund ta bëjë”
Koçeku argumenton se Shqipërisë nuk i nevojitet vetëm rotacion politik, por një transformim i plotë i kulturës së qeverisjes.
“Ajo që i duhet Shqipërisë nuk është thjesht ndryshimi i individëve, por ripërtëritja e gjithë kulturës politike. Ndryshimi i qëndrueshëm nuk mund të vijë nëse mbeten të njëjtat praktika dhe i njëjti mentalitet.”
Mesazh për protestuesit
Në fund të intervistës, deputetja e pavarur u drejtoi një mesazh qytetarëve që kanë marrë pjesë në protesta.
“Zërat tuaj kanë rëndësi dhe nuk duhet të besoni kurrë se angazhimi paqësor qytetar është i kotë. Nuk jeni vetëm. Tani keni edhe një mandat në Parlament.”
Koçeku zbulon se pas largimit nga Partia Socialiste ka marrë mijëra mesazhe mbështetjeje nga qytetarë brenda dhe jashtë vendit, të cilët, sipas saj, shohin te ky vendim një shpresë se politika shqiptare mund të udhëhiqet ende nga parimet dhe jo nga interesat partiake.

Comments are closed.