Deputetët urdhërohen të mos largohen nga Tirana, të gjithë në gatishmëri për datën 27 korrik…
Për 47 ditë me radhë, protesta qytetare nuk ka ndryshuar as kërkesat dhe as ritmin. Çdo mbrëmje qytetarët rikthehen përpara Kryeministrisë duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe fundin e modelit politik që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada. Por, ndërsa revolta vijon pa shenja lodhjeje, në kampin socialist po shtohen sinjalet se kryeministri mund të ketë nisur një manovër politike për të ulur zemërimin qytetar.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka kërkuar deputetëve të mazhorancës të mos largohen nga Tirana dhe të jenë në gatishmëri për datën 27 korrik. Kuvendi mbyllet më 23 korrik dhe ka dyshime se PS po mendon një seancë plenare të jashtëzakonshme.
Zyrtarisht nuk ka asnjë shpjegim për këtë lëvizje. Brenda mazhorancës flitet se mund të bëhet fjalë për projektligje që lidhen me procesin e integrimit europian, por nuk mungojnë as zërat që e lidhin këtë mbledhje të mundshme me një riformatim të kabinetit qeveritar dhe ndryshime në poste të tjera drejtuese.
Pikërisht një skenar i tillë ishte përfolur edhe javë më parë, kur në radhët e socialistëve nisi të flitej për “reflektim” pas protestave.
Në të njëjtën kohë, një tjetër sinjal ka ardhur nga vetë Partia Socialiste. Elisa Spiropali, ka dorëzuar sot një mocion për hapjen e debatit mbi “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, një dokument që përmban një analizë të pazakontë për një forcë që qeveris prej 13 vitesh.
“Shqipëria e Re” nis të marrë formë/ Spiropali sfidon Ramën, dërgon mocionin për hapjen e partisë në Asamblenë e PS-së
16 Korrik, 10:09
Në dokument pranohet se “prej javësh, në rrugët e Tiranës po shfaqet një energji qytetare që nuk mund të shpërfillet pa pasoja”, ndërsa theksohet se “shumica qeverisëse nuk duhet ta shohë këtë si një zhurmë që duhet shtypur dhe injoruar, por si një moment reflektimi për demokracinë shqiptare”.
Më tej, dokumenti flet për nevojën e më shumë demokracie, më shumë përfaqësimi, më pak përqendrim të vendimmarrjes, ndarje të partisë nga shteti, fundin e privilegjeve, rikthimin e meritokracisë, madje përdor edhe një formulim që tingëllon si autokritikë për mënyrën e qeverisjes: “Më shumë përulësi, më pak arrogancë.”
Ndërkohë pak ditë më parë ishte po Balla që njoftonte “prerje kokash’. “Edhe pak dhe do të vijë natyrshëm koha e dialogut me ata që kishin arsyet e tyre legjitime për të protestuar. Që nga shqetësimet për natyrën deri te zemërimi ndaj atyre që shpërdorojnë besimin mbi karrigen e pushtetit, dëgjimin dhe reflektimin tonë”, shprehej Balla.
Nga na tjetër për lëvizjen e Spiropalit nuk ka pasur asnjë koment nga brenda PS dhe nuk është çudi që të gjitha të jenë të koordinuara. Pra si dokumenti i Spiropalit, ashtu dhe mesazhi i Ballës.
Kjo ngre dyshime se mos vallë Rama po përgatit një “tërmet” të fortë në ditë në vijim në qeveri, si reflektim ndaj protestës, soe si manovër për të zbutur zemërimin qytetar. Nuk përjashtohet mundësia edhe e thirrjes së Asamblesë së PS.
Mbetet për t’u parë nëse më 27 korrik do të ketë vërtet ndryshime në qeveri apo lëvizje të tjera politike. Por pyetja që shtrohet është: A do ta ndalë dot Rama, reagimin qytetar? Në shesh kërkohet largimi i tij dhe komplet kastës politike, a do gënjehen Flamingot me ‘koka turku’?/ Pamfleti

Comments are closed.