Skip to content

E fundit! Zjarr i madh në Durrës në zonën e Shkozetit, 5 zjarrëfikëse në vendgjarje!

Një zjarr me përmasa të mëdha është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në zonën e Shkozetit, në Durrës, ku flakët kanë përfshirë një magazinë, duke krijuar një re të dendur tymi që është parë nga disa zona të qytetit.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer në ambientet e magazinës për arsye ende të panjohura. Brenda pak minutash, flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa në vendngjarje janë dërguar disa mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta të shërbimeve të emergjencës.

Efektivët e zjarrfikëses po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e tyre në objektet përreth, ndërkohë që zona është rrethuar për arsye sigurie.

Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa nuk dihet ende nëse në momentin e rënies së zjarrit ka pasur punonjës brenda magazinës. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e zjarrit, ndërsa hetimet pritet të nisin sapo situata të vihet plotësisht nën kontroll.

Ndërkohë, sipas informacioneve paraprake, si pasojë e incidentit, një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Durrësit ka mbetur pa energji elektrike. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ndërprerja e energjisë lidhet drejtpërdrejt me zjarrin apo është rezultat i një mase të marrë për arsye sigurie gjatë operacionit të ndërhyrjes.

Banorët e zonës kanë raportuar ndërprerje të energjisë në disa lagje të qytetit, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe autoritetet vendore për të sqaruar shkaqet dhe kohën e rikthimit të furnizimit me energji.

Në orët në vijim pritet të bëhen të ditura më shumë detaje mbi dëmet materiale të shkaktuara nga zjarri, si dhe mbi shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve.

Published inBank

Comments are closed.