Deputeti i PS, Vullnet Sinaj, ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e Bashkisë Selenicë me Bashkinë Vlorë në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale, duke kërkuar që Selenica të vijojë të funksionojë si njësi më vete.
Në një reagim publik, Sinaj argumenton se Bashkia Selenicë plotëson kriteret për të ruajtur statusin aktual, duke u bazuar te treguesit e funksionalitetit dhe performancës ekonomike. Sipas tij, vendimmarrja duhet të marrë parasysh jo vetëm analizat teknike, por edhe interesin e qytetarëve.
Deputeti socialist iu referua raportit përfundimtar “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0”, ku, sipas tij, Selenica paraqitet me rezultate pozitive. Ai theksoi se bashkia renditet e 29-ta në nivel kombëtar për funksionalitetin, me një indeks prej 57.3, ndërsa në performancën ekonomike po në vendin e 29-të, me një indeks prej 42.2, mbi mesataren kombëtare.
Sinaj kundërshtoi argumentin se mungesa e një numri të lartë biznesesh duhet të jetë kriter për bashkimin e saj me një bashki tjetër, duke vënë në dukje rëndësinë ekonomike të burimeve natyrore që ndodhen në territorin e Selenicës, përfshirë minierën e bitumit dhe zonën naftëmbajtëse të Gorrishtit.
Sipas deputetit, problemi nuk lidhet me mungesën e potencialit ekonomik, por me mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave nga pasuritë natyrore. Ai kërkoi rritjen e përfitimit që u kthehet bashkive nga renta minerare, duke argumentuar se kjo do të rriste kapacitetet financiare të njësive vendore.
“Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kriteret për të vazhduar të funksionojë me sukses si bashki më vete. Kuvendi duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të respektojë këtë realitet”, u shpreh Sinaj.
Reforma e re administrativo-territoriale pritet të sjellë ndryshime në ndarjen aktuale të bashkive, ndërsa propozimet kanë hapur debat edhe brenda mazhorancës.

Comments are closed.