Pakti i Mekës” dhe jeniçerët e rinj: Ankaraja kërkon partinë e saj osmane në Ballkan…
Aleanca e Turqisë me Arabinë Saudite dhe Pakistanin po shitet si mburojë për shqiptarët, ndërsa rrjetet neoosmane përgatitin terrenin politik duke sulmuar figurat kombëtare dhe orientimin perëndimor.
Ditët e fundit vihet re një ngazëllim i madh në disa mjedise shqiptare për paktin e mbrojtjes së përbashkët ndërmjet Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, jo ministri i Mbrojtjes, e krahasoi mekanizmin e këtij pakti me nenin 5 të NATO-s. Nëse sulmohet njëri shtet, dy vendet e tjera duhet t’i vijnë në ndihmë.
Mediat ndërkombëtare e kanë paraqitur marrëveshjen si bashkimin e Turqisë, një prej fuqive kryesore ushtarake të rajonit, me Arabinë Saudite, një nga ekonomitë më të pasura të botës, dhe Pakistanin, një fuqi bërthamore.
Pandeli Majko, ish-kryeministër dhe disa herë ministër, e konsideroi marrëveshjen një zhvillim të rëndësishëm për Ballkanin dhe botën. Ndërkohë, mbështetësit mediatikë të Erdoganit në Shqipëri po përpiqen t’i japin ngjyra patriotike shqiptare një marrëveshjeje të lidhur mes tri shteteve aziatike.
Sipas tyre, pakti turko-saudito-pakistanez përbën një armë të fortë kundër Serbisë dhe një garanci për mbrojtjen e shqiptarëve.
Kjo tezë nuk ka dalë rastësisht nga “mendimtarët patriotë”. Atë e ushqen qendra që furnizon diskursin neoosman në hapësirën shqiptare, duke përdorur patriotizmin dhe luftën kundër armiqve si armë ideologjike.
Ankaraja, Riadi dhe Islamabadi e kanë emërtuar marrëveshjen “Pakti i Mekës”. Vetë emri krijon përshtypjen e një marrëveshjeje që synon të mbrojë edhe vendet e shenjta të Islamit.
Kjo terminologji sjell në kujtesë diskursin që përdorte Perandoria Osmane gjatë sundimit të saj në pjesë të mëdha të Lindjes së Mesme. Pikërisht për këtë arsye, disa aktorë arabë mund ta shohin me shqetësim rikthimin e një fjalori që u kujton dominimin osman. Popujt dhe shtetet arabe u shkëputën nga Perandoria Osmane përmes proceseve politike dhe ushtarake që kulmuan gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ankaraja e di se rikthimi i diskursit neoosman krijon probleme në Lindjen e Mesme, ku kujtesa historike e sundimit osman mbetet e ndërlikuar. Megjithatë, për Turqinë e Erdoganit, rikthimi i një agjende perandorake po shndërrohet në instrument politik.
Erdogani kërkon një kauzë që bashkon mbështetësit e tij, zhvendos vëmendjen nga problemet e brendshme dhe i jep Turqisë një rol përtej kufijve. Regjimi iranian ka përdorur prej vitesh një mekanizëm të ngjashëm, duke e lidhur legjitimitetin e brendshëm me konfliktet rajonale dhe luftën kundër armiqve të jashtëm.
Përtej propagandës që mbërrin deri te ne, Turqia ndodhet në një situatë problematike, si shumë vende ku pushteti kontrollon një pjesë të madhe të hapësirës publike.
Politikisht, Turqia mbetet një vend i përçarë dhe pa kohezion të plotë. Burgosja e figurave të opozitës dhe përdorimi i institucioneve shtetërore për ruajtjen e pushtetit e kanë dobësuar stabilitetin politik.
Edhe ekonomia përballet me probleme. Rritja ekonomike ra në 2.5 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa industria u tkurr me 0.8 për qind. Inflacioni, zhvlerësimi i lirës dhe dobësimi i fuqisë blerëse vazhdojnë të rëndojnë familjet turke. Eksportet dhe importet nuk kanë rënë në vlerë absolute gjatë vitit 2025, por ritmi ekonomik dhe kontributi i tregtisë së jashtme në rritje janë dobësuar.
Kanë nisur të shfaqen shenja të një ngadalësimi që mbetet shqetësues për një vend të fuqishëm si Turqia, me shpenzime të mëdha buxhetore dhe ushtarake.
Një perandori nuk bie menjëherë, por kur nis rënia, procesi i ringritjes bëhet i vështirë. Një vend i vogël si Shqipëria mund ta përjetojë më shpejt si rënien, ashtu edhe rimëkëmbjen.
Turqia përballet edhe me një problem tjetër. Në territorin e saj jetojnë komunitete të mëdha etnike dhe kulturore që shteti nuk i ka integruar plotësisht në një identitet të përbashkët.
Republika moderne turke, të cilën e themeloi Mustafa Qemal Ataturku, u ndërtua mbi një projekt nacionalist, laik dhe të frymëzuar nga modelet europiane të shtetit-komb.
Në Turqi jeton një popullsi e madhe kurde. Kurdët përqendrohen kryesisht në lindje dhe juglindje, por jetojnë edhe në qytetet e mëdha në të gjithë vendin. Vlerësimet për numrin e tyre ndryshojnë, por disa prej tyre arrijnë deri në 20 ose 25 milionë.
Në Turqi jetojnë gjithashtu arabë, llazë, gjeorgjianë dhe komunitete të tjera me origjinë nga Kaukazi. Aty jetojnë edhe armenë, grekë, romë, hebrenj, shqiptarë, boshnjakë dhe bullgarë.
Nuk ekziston një statistikë zyrtare që provon se në Turqi jetojnë pesë milionë shqiptarë me një identitet etnik aktiv. Shifra të tilla qarkullojnë në media dhe në organizata të diasporës, por ato përfshijnë edhe qytetarë me prejardhje të pjesshme shqiptare, të asimiluar prej brezash.
Republika turke nuk i ka njohur gjithmonë këto komunitete si identitete të veçanta. Ajo ka tentuar t’i integrojë brenda identitetit zyrtar turk, me synimin për të ruajtur kohezionin e shtetit-komb.
Ky kohezion qëndroi relativisht i fortë gjatë periudhës laike dhe republikane, ndonëse çështja kurde mbeti problemi kryesor i brendshëm. Turqia e asaj kohe synonte një orientim më perëndimor dhe nuk e vendoste ringjalljen e neoosmanizmit në qendër të politikës së saj.
Themeluesit e Turqisë republikane e konsideronin ekstremizmin dhe radikalizimin fetar si forca që mund ta dobësonin shtetin. Për këtë arsye, institucionet kemaliste nuk i joshën këto rryma, por i goditën dhe i mbajtën nën kontroll.
Erdogani erdhi në pushtet duke mobilizuar konservatorizmin fetar, kapitalin e ri anadollak dhe pakënaqësinë ndaj elitave kemaliste. Më pas, ai e ktheu neoosmanizmin në një ideologji që zgjoi ëndrrat perandorake te një pjesë e popullsisë së një ish-perandorie, ku ky narracion gjen terren organik.
Ushqimi i kësaj ideologjie ka hapur një lojë të madhe, e cila e ka vendosur Turqinë e Erdoganit përballë një rreziku të vazhdueshëm.
Izraeli, dikur partner strategjik i Ankarasë, e sheh gjithnjë e më shumë Turqinë si një rival të mundshëm afatgjatë. Erdogani, nga ana tjetër, e ka kthyer Izraelin në objektivin kryesor të retorikës së tij dhe ka mbajtur prej vitesh marrëdhënie me drejtues të Hamasit.
Kjo situatë e brishtë e ka shtyrë Turqinë të veprojë si një perandori në alarm, duke ndërtuar frenim strategjik jashtë kufijve për të kufizuar rreziqet brenda vendit.
Për këtë arsye, Ankaraja po zgjeron ndikimin në Lindjen e Mesme, deri te vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës, por edhe në Ballkan.
Perandoritë Romake dhe Bizantine e përdorën Ballkanin si hapësirë mbrojtëse, burim njerëzor dhe zonë furnizimi për konfliktet e tyre. Në prag të rënies së Kostandinopojës, Bizanti nuk kontrollonte më territore të rëndësishme në Azinë e Vogël. Fuqia e tij mbështetej te kryeqyteti dhe te zotërimet e mbetura në Ballkan, përfshirë Despotatin e Moresë.
Osmanët zhvilluan ekspedita të vazhdueshme në Ballkan për t’i dobësuar këto territore dhe për të izoluar Kostandinopojën përpara pushtimit të saj nga Mehmeti II.
Edhe beteja e ardhshme mes ndikimeve politike dhe kulturore mund të zhvillohet përsëri në Ballkan. Këtu kalon ajo që disa e përshkruajnë si vija e vjetër e Teodosit, kufiri simbolik mes Lindjes dhe Perëndimit.
Për këtë arsye, Turqia ka vendosur të aktivizojë në politikë “jeniçerët” e saj ballkanikë.
Ankaraja i ka përgatitur prej vitesh këto rrjete sipas një plani të hollësishëm. Ato nuk përbëjnë një kopje të thjeshtë të Partisë AK të Erdoganit, pra një përzierje mes grave të mbuluara “allafrënga” dhe burrave me kostume perëndimore.
Në Ballkan, Ankaraja po mbështetet edhe te predikues dhe aktivistë fetarë që prej vitesh ligjërojnë në xhami, studio mediatike dhe rrjete sociale sipas një modeli të gatshëm komunikimi.
Ky model mbështetet te sulmi i vazhdueshëm ndaj figurave të historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, të cilat këta predikues i paraqesin si antishqiptare dhe antimyslimane.
Këto ditë doli një tjetër video, ku një predikues nga Kosova, në një podcast të drejtuar nga një gazetar me pamje të ngjashme, sulmonte Pjetër Bogdanin.
Edhe skenografia e përcillte mesazhin. Studioja e podcastit ishte ndërtuar mbi një shilte dhe minder të stilit osman, ndërsa të dy personazhet bisedonin këmbëkryq.
Predikuesi e akuzonte Pjetër Bogdanin se kishte vrarë myslimanë në shërbim të Austro-Hungarisë, një perandori katolike. Ai shtonte se shqiptarët mbanin poste në të gjithë Ballkanin, sidomos në Beograd dhe Bosnjë, dhe përmendte numrin e madh të xhamive që kishte Beogradi gjatë periudhës osmane.
Ky narracion synon të ushqejë rivalitetin mes kulturave dhe ta paraqesë përplasjen Lindje-Perëndim si konflikt të pashmangshëm.
Kjo përplasje nuk u shërben myslimanëve si besimtarë.
Myslimanët gëzojnë në Europën e sotme më shumë liri individuale, politike dhe ekonomike se në shumë vende me shumicë myslimane. Ata kanë fituar gjithashtu peshë demografike dhe përfaqësim politik, ndërsa partitë europiane të majta kanë përqafuar disa nga kauzat e komuniteteve myslimane.
Myslimanët e Shqipërisë nuk do të hasnin pengesë për të ushtruar besimin dhe liritë e tyre në Bashkimin Europian. Përkundrazi, rendi europian ua garanton këto të drejta, përfshirë hapësirën kulturore të lidhur me besimin.
Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me formalizimin politik të Islamit shqiptar. Kemi të bëjmë me një projekt politik të qarqeve të lidhura me neoosmanizmin.
Ashtu si Perandoria Osmane përdorte popullsitë e Ballkanit në luftërat e saj, edhe ky projekt synon t’i përdorë komunitetet vendase si instrument në përplasjet e Ankarasë me kundërshtarët e saj perëndimorë.
Ankaraja kërkon të krijojë një parti osmane, jo një degë të thjeshtë të Vëllazërisë Myslimane panarabe.
Pikërisht për këtë arsye, diskursi ka ndryshuar rrënjësisht. Dhe ky ndryshim nuk ka nisur sot. Ai është përgatitur prej kohësh./Pamfleti

Comments are closed.