Skip to content

Dhunoi Eduart Kuçin, arrestohet këngëtari Jozi Marku

Këngëtari dhe artisti Jozefin Marku, i njohur gjerësisht si Jozi, është arrestuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit. Ndalimi dhe shoqërimi i tij, është bërë nga shërbimet e DVP Tiranë, pas pamjeve të dhunës që rrodhën gjerësisht në mediat e Shqipërisë dhe Kosovës.

Paraprakisht, bëhet me dije se bashkë me Jozefin Markun, është shoqëruar dhe një shtetas tjetër i cili në pamjet e dhunës ndaj shqiptarit të Kosovës, Eduart Kuçi, dallohet me tabelën “STOP Policia” dhe në një moment heq dhe maskën.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve në zonën e autostradës Thumanë-Kashar, pranë mbikalimit, ku një grup të rinjsh nga Fushë Kuqja kanë ndaluar Eduart Kuçin dhe e kanë dhunuar.

Ngjarja u bë publike pas shpërndarjes në rrjetet sociale të disa pamjeve, në të cilat Marku dhe disa persona të tjerë shfaqen duke u përballur me Kuçin. Situata ka kaluar më pas në dhunë fizike, ndërsa pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas raportimeve, konflikti mes tyre dyshohet se ka nisur pas disa deklaratave dhe ofendimeve të bëra më herët në rrjetet sociale. Në video, Jozi dëgjohet duke i kërkuar llogari Kuçit për deklaratat e tij, ndërsa ky i fundit tenton të qetësojë situatën.

Mediat raportojnë se Eduart Kuçi është ndaluar gjatë udhëtimit në një aks rrugor në Shqipëri, përpara se të përballej me Markun dhe personat që e shoqëronin atë. Rrethanat e plota të organizimit dhe personat e tjerë të përfshirë mbeten objekt verifikimi nga organet kompetente.

Pas publikimit të pamjeve, në lëvizje është vënë edhe Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka hapur një rast penal me iniciativën e saj. Joz Marku dyshohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Eduart Kuçi është intervistuar nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin. Lajmi për nisjen e hetimeve është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi. [Lajmi.net](https://lajmi.net/u-rrahe-nga-jozi-policia-e-interviston-edin/)

Vetë Marku, në një reagim të mëparshëm për mediat, ka pretenduar se mes tij dhe Kuçit nuk kishte ndodhur asgjë dhe se pamjet ishin realizuar si një inskenim. Megjithatë, publikimi i videos së plotë dhe reagimi i organeve të drejtësisë kanë ngritur pikëpyetje të shumta mbi këtë version.

Ende nuk janë bërë të ditura hollësi zyrtare mbi vendin ku është ndaluar Marku, masën e marrë ndaj tij dhe personat e tjerë që shfaqen në pamje. Pritet që autoritetet të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.

Hetimet vijojnë…

Published inBank

Comments are closed.