Volkswagen po përgatitet t’i japë fund markës së njohur spanjolle SEAT, si pjesë e planit më të madh të ristrukturimit në historinë e grupit gjerman.
Sipas planit të brendshëm të kompanisë, SEAT do të nxirret gradualisht nga tregu dhe do të pushojë së funksionuari si markë automobilistike deri në fund të vitit 2029.
Në vend të saj, Volkswagen do të përqendrojë investimet dhe modelet e reja te Cupra, marka sportive që lindi fillimisht si pjesë e SEAT, por që tashmë është shndërruar në një nga bizneset me rritjen më të shpejtë të grupit.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, Cupra shiti rreth 170,100 automjete, duke kaluar ndjeshëm SEAT-in, i cili regjistroi afërsisht 129,600 makina të shitura.
Vendimi lidhet me synimin e Volkswagen për të reduktuar numrin e modeleve, kostot e prodhimit dhe konkurrencën e brendshme mes markave të grupit.
SEAT është pjesë e Volkswagen që prej vitit 1986 dhe për dekada ka qenë një nga markat më të njohura të makinave ekonomike në Europë. Modele si Ibiza, Leon, Toledo dhe Alhambra janë shitur në miliona njësi.
Mbyllja e markës nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe fundi i fabrikës së Martorellit në Spanjë. Impianti pritet të vazhdojë prodhimin e modeleve Cupra dhe të automjeteve të tjera të grupit Volkswagen.
Plani për SEAT-in është pjesë e një pakete shumë më të gjerë kursimesh. Volkswagen synon të shkurtojë deri në 100 mijë vende pune, të përgjysmojë numrin e modeleve dhe të reduktojë prodhimin në Europë me rreth 500 mijë automjete.
Grupi po përballet me kosto të larta prodhimi, rënie të shitjeve në Kinë dhe konkurrencë gjithnjë e më të fortë nga prodhuesit kinezë të makinave elektrike.
Nëse plani zbatohet sipas afateve, viti 2029 do të shënojë fundin e një historie gati 80-vjeçare për SEAT-in dhe kalimin përfundimtar të stafetës te Cupra.

Comments are closed.